E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama të mos llogaris mandatet tona

03/07/2009  LSI mbledh kryesinë për qëndrimin ndaj zgjedhjeve

Prifti sqaron votën për Berishën para forumit të partisë

Lëvizja Socialiste për Integrim ende pa një vendim zyrtar mbi koalicionet paszgjedhore. Por nga ana tjetër mbrëmë kjo parti lëshoi një mesazh të qartë për lidershipin e Partisë Socialiste, ku i kërkoi të mos llogarisë mandatet e LSI-së. Më konkretisht përfaqësuesit e kësaj partie mbajnë peng partinë më të madhe të së majtës, atë Socialiste, e cila tashmë deklaron për 70 mandate në total për të majtën. Kështu, gjatë mbrëmjes së djeshme, Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi kryesinë e saj për të diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të procesit zgjedhor. Por burime pranë kësaj mbledhje bënë me dije se pjesë e takimit ishte dhe deklarata e dy ditëve më parë e nënkryetarit të kësaj partie, Dritan Prifti, i cili dha mbështetjen e tij në favor të krijimit të një qeverie të kryesuar nga Kryeministri, Sali Berisha.

Takimi

Pjesë e diskutimeve të mbledhjes së kryesisë së LSI-së mësohet të ketë qenë dhe deklarata e nënkryetarit të saj, Dritan Prifti, i cili i paraqiti këtij forumi të dhëna që faktonin manipulimin e procesit të numërimit në qarkun e Fierit nga ana e Partisë Socialiste në dëm të LSI-së. Në këtë mënyrë, burime pranë takimit bënë me dije se kanë qenë pikërisht këto dokumente, përmes të cilave Prifti ka justifikuar deklaratën e tij. Megjithatë, edhe pse deklarata u bë publike, kryesia mësohet të ketë vendosur se do të jetë një vendim politik i këtij forumi ai i cili do t’i hapë rrugë një aleance të mundshme paszgjedhore. Në këtë mënyrë momentalisht mandatet e LSI-së të rezultuara nga rezultatet paraprake nuk do të shkojnë në asnjërin kamp politik, por do të jetë një vendim unik ai i cili do ta përcaktojë lëvizjen e ardhshme. Një fakt i tillë u konfirmua dhe nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ai i cili ndalur në deklaratën e Priftit nënvizoi se “ajo ka qenë një opinion personal i z. Priftit edhe nën peshën e një trysnie, antiligjore kriminale që janë konsumuar në rrethin e Fierit që shpjegojnë edhe karakterin e fort emocional që kanë pasur deklaratat e djeshme të z. Prifti, por që nuk ka të bëj fare me qëndrimet e kryesisë të forumeve të LSI-së”.

Qëndrimi

Megjithëse ende nuk ka një vendim politik mbi aleancat paszgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim lëshoi një mesazh mjaft të qartë për Partinë Socialiste, e cila përgjatë këtyre ditëve kur janë deklaruar vetëm rezultatet paraprake ka ngritur pretendimin se tashmë e majta ka 70 mandate duke përfshirë dhe mandatet e LSI-së. “Rama s’ka asnjë të drejtë as politike, as publike, as morale që të flas në emër të mandateve të LSI-së. Përkundrejt apeleve të shumta për bashkëpunim dhe për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, Rama ka konsumuar veprën e dirigjim të një informacioni të varte me elemente policor dhe financiare më qëllim asgjësimin e LSI-së, duke përdorur jo vetëm elementët të shkeljes së ligjit, por dhe aktivizimin e instrumenteve të tilla thellësisht të patolerueshme siç janë aktivizimi i aferave për korruptimin në themel të procesit, ne kemi qenë koherent në raportin me të majtën, por hartuesit e Kodit Zgjedhor shkaktuan humbjen e së paku 12 mandateve të së majtës dhe në veçanti të LSI-së, por kjo përgjegjësi dhe reflektimit që duhet të ndodhin në PS janë një çështje e tyre e brendshme, ndërsa ne do ta evidentojmë këtë krim dhe të mos lejojmë që të shprehet në emër të sakrificës të njerëzve të LSI-së që kanë siguruar 4 mandate dhe që janë përfaqësimin i ndershmërisë të këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Vasili.

Vendimi

Kryesia e LSI-së konstatoi prishjen në vazhdimësi të standardeve në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo më e theksuar në procesin delikat të numërimit të votave. Nisur nga konstatimi që ky proces ka hyrë në rrugën e komprometimit të tij, kryesia e LSI-së vendosi që raporti i parë paraprak i dokumentuar, me të gjitha ngjarjet shëmtuar që është konsumuar në datën 28 qershor të paraqitet mbas një jave dhe në mënyrë periodike raportet do të intensifikohen deri në paraqitjen e një raporti, i cili do të bëhet prezent të gjitha organizmave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, por dhe jashtë saj, si në Bruksel dhe ne Departamentin Amerikan të Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›