Këshilltarët e Patosit padi kryebashkiakut
22/12/2009 Mban peng vulën e Këshillit Bashkiak
PATOS- Kryesia e Këshillit Bashkiak të Patosit ka depozituar në Prokurorinë e Fierit padinë penale për kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti Bardhi Meli. Shkak për këtë sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak të sapozgjedhur Leonard Behaj ka qenë përvetësimi i vulës nga ana e kreut të Bashkisë së Patosit dhe bllokimi i arkivës së këtij institucioni. Duket se ende është në gjendje kaotike situata në Këshillin Bashkiak të Patosit. Falë mosmarrëveshjeve të këshilltarëve të tij për shkarkimin e kryetarit të saj Maksim Goga dhe përplasjeve të punonjësve të pastrim-gjelbërimit ka nisur një tjetër konflikt me kreun e kësaj Bashkie Bardhi Meli. Ditën e djeshme kryesia e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Patos ka depozituar në Prokurorinë e Fierit padinë penale për kreun e kësaj Bashkie Bardhi Meli. “Sot kemi hapur një çështje penale, pasi kemi bërë kallëzim penal për kryetarin e Bashkisë Patos Bardhi Meli”,-ka thënë Behaj në emër të shumicës së anëtarësisë së kryesisë së Këshillit Bashkiak. Nëpërmjet këtij veprimi duam një zgjidhje ligjore për kreun e kësaj Bashkie, i cili ka bllokuar jo vetëm vulën, por edhe arkivin e këtij institucioni në mënyrë fare anakronike dhe të padrejtë duke e bërë inekzistent praninë e shumicës së këshilltarëve bashkiak. Ne jemi 15 anëtarë të këtij këshilli dhe kryetari Meli nuk mund të mbajë dhe të përvetësojë gjithçka vetëm me 7 anëtarë. Veprimet e tij janë të kundërligjshme dhe të dënueshme ndaj ne i jemi drejtuar drejtësisë fierakë për zgjidhjen e saj, pasi shumë çështje që kanë të bëjnë me një qytet të tërë nuk po marrin zgjidhje nga veprimet e pakontrolluara të kreut të kësaj Bashkie”,-ka thënë Behaj.