Hipokrizia e Edvinit - i dërgon letër BE se Shqipëria “as nuk hapet e as nuk mbyllet”

Nuk anullon protestat, por përpiqet të lajë duart si Ponc Pilati se s’është fajtor për mospërfshirjen e Shqipërisë në hapësirën Shengen. Teoritë e Ramiz Alisë së Shqipëria s’është as Lindje e as Perëndim shfaqen në çdo rresht të letrës dërguar komisionerit Fyle
Dje Edi Rama ka synuar të arrijë një apogje të hipokrizisë së tij, teksa ka nisur një letër me panegjerizma për dëshirën socialiste që shqiptarët të integrohen sa më shpejt në BE dhe që sa më shpejt t’u hiqet regjimi i vizave, por s’ka thënë asnjë fjalë për stinën e protestave që ai synon të ndërmarrë në të gjithë Shqipërinë. Hipokrizia nuk është fshehur dot mes rreshtave që synonin të tregonin karakterin pro-evropian të ylberistëve të rinj... Përkundrazi, ky rekord i ri dinakërie na ka sjellë në vëmendje tezën e Ramiz Alisë të vitit 1990 “Shqipëria, as Lindje, as Perëndim, as nuk hapet, as nuk mbyllet...”.
Edi Rama po sillet njëlloj me aksionin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, duke bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e lojës filosllave e antieuropiane të izolimit, por duke u përpjekur në të njëjtën kohë që të prodhojë alibinë se nuk është ai dhe ish-komunistët fajtorët për këtë fat të zi të shqiptarëve. Këtë mesazh të poshtër e të pavërtetë kërreu dje Edvini përmes letrës që i drejtonte komisionerit të BE për Zgjerimin, Stefan Fyle, përmes përgjërimeve propagandistike, që s’fshehin dot faktin se kalendari i protestave majtiste prej më shumë se një viti ndjek kalendarin e stacioneve të konsultimeve mes qeverisë së Berishës dhe Komisionit Evropian lidhur me përfshirjen e Shqipërisë në hapësirën “Shengen”.
Teksti i Edvinit nuk vlen të lexohet, për shkak të pamundësisë për të fshehur hipokrizinë e kudogjendshme, por leximi i parë i pavarur vjen nga Komisioni Evropian, i cili në të njëjtën ditë ka konfirmuar se Shqipëria ka regjistruar një progres të jashtëzakonshëm e se tani ishte koha që të shqyrtohej kandidatura e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim të plotë.
Kjo perspektivë nuk ka asnjë lidhje me teorinë ramiziste “Shqipëria, as Lindje, as Perëndim, as nuk hapet, as nuk mbyllet”. Shqipëria është në Perëndim, anëtare e NATO-s dhe së shpejti anëtare e BE-së, prandaj edhe kjo garanci sjell me vete leximin e trishtë se opozita e sotme e Edvinit është pasqyrim i politikës ramiziste të 1991-it, prandaj edhe përfundimi i saj ngjan i ngjashëm. Sali Berisha e cilëson si dërgim në “koshin e historisë”, por të tjerë thonë se krahasimi më i gjetur është ai i “bankave të drejtësisë”...