E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, diplomati suedez, spiun i rusëve

Autori i Lajmit: A.D

Stokholm - Një diplomat suedez i ka dhënë Rusisë informacione sekrete të Bashkimit Evropian, ndërsa lajmi transmetohet nga mediat suedeze. “Na ka dhënë informacione dhe dokumente, në veçanti rreth rrugëve që po ndiqnin ish- republikat sovjetike për tiu afruar Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, - citohet ish-agjenti i shërbimit rus të zbulimit, Sergei Tretiakov, nga gazeta “Expressen”. “Dokumentet që kemi marrë mes të tjerash lidheshin dhe me konfliktin në ish- Jugosllavi, në veçanti në Kosovë dhe, pa dyshim, kjo ishte me interes të madh për Rusinë”, - citon gazeta suedeze ish-agjentin rus. Diplomati suedez aktualisht punon për Ministrinë e Jashtme. Ai ka pranuar se ka pasur “disa kontakte” me rusët, por theksoi se mënyra se si ishin përshkruar gjërat nga ish-agjenti rus ishte e gabuar. Ish-agjenti rus sot jeton në një vend anonim në Shtetet e Bashkuara dhe pretendon se diplomati suedez është rekrutuar nga Rusia në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. “Ai ishte një djalë i shkëlqyer. Ishte shumë i vlefshëm”, - tha Tretiakov për të përditshmen suedeze “Expressen”. Gazeta arriti të kishte akses dhe në dokumentet e rezervuara të shërbimit sekret suedez, të cilat konfirmojnë se ndaj diplomatit në fjalë ishte hapur një hetim, por ishte mbyllur sërish për mungesë provash. “Për ta akuzuar si spiun, mua më duhej të provoja se informacionet e nxjerra janë dekonspiruese për sigurinë kombëtare”, - tha prokurori i çështjes, Tomas Lindstrand, për gazetën. Sipas Tretiakovit, dokumentet e siguruara nga diplomati suedez që kishte emrin e koduar Silvester, përfshijnë komunikata të brendshme të BE-së që diplomatët kanë dhënë urdhër të mos bëhen publike “veçanërisht rusëve”. Diplomati suedez që mendohet ti ketë kaluar Moskës sekretet është rekrutuar në fund të vitit 1990. Ai konfirmoi me anë të një emaili se kishte pasur kontakte me përfaqësues rusë gjatë kohës që ishte në Nju-Jork, por pretendoi se informacionet e ish-shefit rus të spiunazhit ishin të pavërteta.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›