Gjatë një takimi, sot në mbrëmje, me qytetarë të Durrësit, Kryeministri Berisha përshëndeti 16 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike për këtë qytet. Në fjalën e tij, Kr
Gjatë një takimi, sot në mbrëmje, me qytetarë të Durrësit, Kryeministri Berisha përshëndeti 16 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike për këtë qytet.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Të dashur qytetarë të Durrësit,
Është një privilegj i madh për mua t'ju përshëndes përzemërsisht dhe të përulem me nderimin më të madh para qytetarëve të Durrësit, para virtytit të tyre, para vlerave të mëdha familjare, kulturore dhe njerëzore që ata mbartin dhe përfaqësojnë, si dhe t'ju uroj gëzuar këtë ditë, ditën e pluralizmit politik, ditë në të cilën ju, qytetarët e Durrësit, vendosët të hapni portat e mbyllura të lirisë, vendosët të vazhdonit rrugën e trashëgimisë suaj më të shkëlqyer, rrugën e bashkimit me qytete, porta dhe vende të qytetëruara të Evropës.
Në këtë përvjetor ju jeni krenarë sepse themeluat 16 vjet më parë këtu, në Durrës, partinë, e cila shembi në Shqipëri diktaturën më të egër në Evropë, partinë e cila e hapi Shqipërinë, vendin më të kolektivizuar të planetit drejt të Evropës, e shndërroi atë në vendin e sipërmarrjes private, të biznesmenëve dhe qytetarëve të inisiativës së lirë, riktheu liritë dhe të drejtat e munguara.
Në 8 vite opozitë, kundër një regjimi që erdhi në pushtet me banda, kundër një regjimi që u mbajt në këmbë me klane kriminale dhe banda të krimit të organizuar, ju qendruat të pamposhtur, me një opozitë evropiane, e cila më 3 korrik të vitit 2005 do të përzinte drejt kalendave të historisë regjimin më kleptokratik të Evropës, regjim që bazohej në krimin e organizuar, vjedhjen e shpërdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë. Më 3 korrik qytetarët e Durrësit dolën në ballë të fitores së mbarë shqiptarëve dhe kjo bën krenarë çdo qytetar të Durrësit dhe, bashkë me ju, çdo shqiptar.
Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, ne jemi përpjekur t'i përmbahemi pikë për pikë premtimeve tona para jush. Premtimet tona ishin: rikthimi i shtetit ligjor, funksionimi i ligjit, lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Sot, ne vijmë këtu krenarë, sepse Durrësi, sikundër dhe shumë e shumë qytete e territore të tjera të vendit, u çlirua nga klanet kriminale dhe bandat, të cilat u vendosën para ligjit, ndërsa jeta e qytetarëve është bërë më e sigurtë se kurrë. Unë ju jap fjalën se ne nuk kemi asgjë më të çmuar, më të shenjtë se jetën tuaj dhe sigurinë e saj, jetën e fëmijëve tuaj dhe sigurinë e tyre, si dhe sigurinë e pronës suaj. Ndaj ne do të vazhdojmë me tolerancë zero ndaj të gjitha atyre që mundohen t'i prishin ato.
Ne u zotuam para jush se do të përballemi me korrupsion, këtë kancer që kaplon dhe dobëson Durrësin, shpirtin e kombit dhe të qytetarëve. Unë ju garantoj se toleranca jonë do të jetë zero ndaj tij. Sëbashku do ta fitojmë këtë betejë. Ne kemi rrugë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, por duhet të jemi optimistë dhe të sigurtë se ligji dhe vullneti ynë, i bazuar në ligje, do të predominojë kundër tij. Siç nxorëm pranimin në universitete dhe maturën shtetërore jashtë korrupsionit, ne do t'i nxjerrim jashtë korrupsionit edhe të gjitha shërbimet tuaja.
Sot, qytetarët shqiptarë sërish vuajnë shumë nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Qeveria e drejtësisë është tërësisht e ngërthyer nga krimi. Qeveria e drejtësisë përfaqësohet nga zëvëndësit e Aldo Bares, por, prapë se prapë, kjo qeveri i ka kohërat të numëruara. Historia na ka mësuar se nga të gjithë kriminelët më të shëmtuarit janë kriminelët me jaka të bardha, kriminelët e kollarisur. Ligji dhe vetëm ligji do të jetë përballja e tyre.
Në rrugën e reforma nuk do të mund të na pengojë asgjë. Ne jemi të vendosur të ecin në drejtim të reformave. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje që të ndryshojmë jetën tuaj.
Lufta kundër korrupsionit ka patur efektet e veta. Ne ia dolëm të kemi në dispozicion për investime publike dyfishin e atyre që kishim vitin që shkoi. Në sajë të luftës kundër korrupsionit, këtë vit ne ia dolëm, edhe duke ulur taksat, të mbledhim 504 milion euro më shumë se një vit më parë.Çfarë bëmë ne me to? Ne ua rikthyen ato me ulje taksash biznesmenëve shqiptarë, ia rikthyem me ulje taksash në mënyrë që ata të krijojnë vende pune, të zgjerojnë biznesin e tyre. Ne kemi kontraktuar dhe po kontraktojnë autostrada dhe rrugë më shumë se në 40 vitet e fundit të marrë sëbashku. Ne rritëm me 20 përqind mesatarisht rrogat e të gjithë punonjësve të administratës. Ne vendosëm pensionin minimal 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat, duke i shtuar fondit të pensioneve 72 milion euro. A mund t'i përdorim më mirë këto kursime? Ju garantoj se vitin e ardhshëm do t'i përdorim shumë më mirë.
Durrësi është ndër qytetet më kryesore të vendit. Zhvillimi i tij është zhvillimi i Shqipërisë. Ndaj, nesër, ne inagurojmë terminalin modern të portit të Durrësit, me një shumë të barabartë me investimet në aeroportin e Tiranës. Porti është porta e begatisë dhe ne do të bëjmë çmos ta privatizojmë atë, do të bëjmë çdo investim që të 2-3 fishohet kapaciteti i tij. Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë e shndërron Durrësin në një nga portet më të rëndësishme të rajonit.
Ne jemi totalisht të angazhuar për problemet e këtij qyteti. Vitin që vjen nis ndërtimi ujësjellësit të ri, i cili do të 2-3 fishojë kapacitetin e ujësjellësit ekzistues të këtij qyteti.
Një nga drejtimet më të rëndësishme në punës sonë janë fëmijët tuaj, fëmijët e Shqipërisë. Ne jemi të vendosur të modernizojmë sistemin e arsimit në Shqipëri. Durrësi çeli këtë vit universitetin, një nga universitetet më model të vendit. Ne nuk do të reshtim dhe do ta mbështesim atë derisa ky universitet të shndërrohet në një nga qendrat më të rëndësishme universitare në Shqipëri.
Zona e lirë do të jetë një tjetër ndërtim që do të bëjë qeveria gjatë vitit që vjen në Durrës. Zona është përcaktuar, studimi po përfundon, së shpejti do ta shpallim, dhe do ta shndërrojë në një gjenerator të madh punësimi për qytetarët e Durrësit.
Qytetarë të Durrësit,
Me preokupim të madh ju ndiqni zhvillimet politike të vendit, teatrin absurd dhe të turpshëm të atyre që kërkojnë t'i faktojnë botës se shqiptarët nuk dinë të votojnë, se shqiptarët nuk mund të votojnë.
Ne i kemi ndjekur me shumë vëmendje këto zhvillime. Ne i kemi bërë të qartë dhe sërish ju deklarojmë shqiptarëve se përkushtimi ynë total dhe absolut është vota e lirë e durrsakëve, vota e lirë e shqiptarëve. Por ata që bërtasin për standarte duke i shkelmuar ato çdo ditë, ata që bërtasin për votën e lirë duke e dhunuar atë çdo ditë, ata që mendojnë të shpërndajnë parlamentin duke bllokuar zgjedhjet, gabojnë rëndë, bëjnë një gabim fatal. Nga kjo platformë, në emrin tuaj, dua t'u themi erdhët në pushtet me banda dhe bandaditë, me të çaushë dhe gjinushë. Durrësi dhe Shqipëria ju sikterisi me votë të lirë, me fibrën e vet qytetare, me besimin e vet tek vlerat. Kanë perënduar kohërat kur ju mund të merrnit pushtet pa votë. Kjo nuk ka ndodhur e nuk do të mund të ndodhë kurrë.
Dua të garantoj opozitën e interesuar për procese demokratike dhe të gjithë shqiptarët se Partia Demokratike në themelet e saj ka tolerancën, mirëkuptimin, përjekjen e përbashkët për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Ndaj dhe në këtë kontekst, në kuadrin e afateve kushtetuese ne jemi të gatshëm të biem dakort me opozitën që do zgjedhje, jo opozitën që do të bllokojë zgjedhjet, me shqiptarët, të cilët besojnë tek vota e lirë, vlerat e saj.
Shqipëria ndodhet para një momenti shumë të rëndësishëm. Ajo është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Ju e patë sesi bilbilat dhe boritë një muaj e gjysëm tentuan të bllokojnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ndërsa tani, sapo erdhi mesazhi nga Riga, kërkuan t'u faktojnë të tjerëve se shqiptarët nuk janë të zot të votojnë.
Ne jemi të vendosur t'u qendrojmë vlerave të demokracisë, t'i qendrojmë votës së lirë. Ndaj dhe e ftoj opozitën të çlirohet nga mendësi, koncepte dhe mentalitete të tilla, të çlirohet nga komplekset e '97, të dalë e lirë në një proces zgjedhor, në të cilin çdo votë do të numërohet, çdo votë do të peshojë, në të cilin qytetarët shqiptarë do të votojnë më të lirë se kurrë, do të votojnë si qytetarë evropianë.
Duke e mbyllur kam shumë kënaqësi të paraqes para jush kandidatin për kryetar bashkie, njërin prej qytetarëve më të shquar të Durrësit, udhëheqësve më të talentuar të Partisë Demokratike, zyrtarëve më korrektë e të ndershëm që unë kam në administratën time, zëvendësministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kryetarin e PD-së së Durrësit zotin Armand Teliti. Lefteri faktoi me dorëheqjen që bëri se ato 7 klasë shkollë i ka marrë vetë e nuk ka falsifikuar. E pa që nuk kishte shpresa dhe u dorëzua. Kurse don Edvini mbahet ende, duke mos lejuar rivalin të regjistrohet, por javët e ditët i ka të numëruara. Tirana është ndarë përfundimisht prej tij.
Edhe një herë gëzuar Krishtlindjen, këtë ditë të madhe, gëzuar Bajramin, këtë ditë të madhe, gëzuar vitin e ri, një vit me mbarësi, gëzim e lumturi për të gjithë. Gëzuar fitoren."