Kryeministri Berisha dha sot në mbrëmje një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar, gjatë së cilës bëri këto komente lidhur me zgjedhjet: Pyetje: Zoti Kryeministër, do t'i jepni o
Kryeministri Berisha dha sot në mbrëmje një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar, gjatë së cilës bëri këto komente lidhur me zgjedhjet:
Pyetje: Zoti Kryeministër, do t'i jepni opozitës konsensusin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve gjithmonë brenda afateve kushtetuese?
Kryeministri: Kam mirëpritur dhe përshëndes vendimin e fundit të opozitës, me të cilën ata informuan bashkërisht, fillimisht ishin 2 parti, ndërsa tani janë të gjitha sëbashku, se do të marrin pjesë në zgjedhje dhe se kërkojnë që zgjedhet të zhvillohen brenda afatit kushtetues, data e fundit e të cilit është data 20 shkurt.
Ky vendim i jep fund një spirali absurd qendrimesh, me të cilat, në mënyrën më të pakonceptueshme, perpiqej t'u dëshmohej shqiptarëve dhe Evropës se qytetarët shqiptarët nuk dinë të votojnë, nuk mund të votojnë dhe nuk do të votojnë. Prapa këtij vendimi natyrisht kishte një prapavijë si projekt jashtëzakonisht i rrezikshëm, ndonëse isha i bindur se çështja do të zgjidhej dhe se asgjë nuk do të mund ta nxirrte Shqipërinë nga shinat e demokracisë dhe të zhvillimit.
Pas dekretimit të datës nga Presidenti, zoti Edi Rama deklaroi se do të merrte pjesë në zgjedhje dhe brenda 40 orëve ndërroi pllakën. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai zhvilloi një proces, nga njëra anë, bllokimi dhe, nën udhëra të tij, të sabotimit të procesit zgjedhor, që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri dhe asnjëherë në vendet e lira, në Evropën e pasluftës. Nga ana tjetër, duke deklaruar e bërtitur çdo ditë për standarte, ai i shkelte me këmbë duke mos lejuar hartimin e listave, duke mos lejuar regjistrimin e kandidatëve dhe bllokimin e KZQV-ve, pra, duke dhunuar në çdo shkronjë Kodin Elektoral, një ligj konsensual, më konsensual edhe sesa Kushtetua e vendit.
Megjithatë është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen në afatin kushtetues. Qendrimi ynë ka qenë i prerë dhe i qartë: nuk pranojmë zgjedhje jashtë mandatit kushtetues, nuk pranojmë mandate të pavotuara jashtë afateve që ka përcaktuar Kushtetuta. Eshtë e vërtetë që data 20 shkurt është data e fundit e mandatit të të zgjedhurve vendorë. Presidenti caktoi datën 20 janar dhe mendoj se e caktoi bazuar mbi një analizë të drejtë ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, por 20 janari kishte mundësi të spostohej në rast se do të bëheshin ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të cilat ne nuk mund të angazhoheshim pasi nuk kishim 84 vota. Në rast se maxhoranca do të kishte patur 84 vota, ajo do ta ofronte këtë mundësi si një mundësi të dytë.
Zhvillime pozitive ndodhën sepse dy parti të opozitës vendosën të votojnë në parlament Kodin Zgjedhor, t'i krijojnë mundësi Presidentit për të dekretuar zgjedhje të tjera, sepse aktualisht Presidenti nuk mund të dekretojë zhvillimin e këtyre zgjedhjeve pa një ligj të parlamentit, i cili kërkon 84 vota.
Ky zhvillim i ri u bë i mundur sëbashku me faktorë të tjerë. Duhet të pranojmë se një rol të rëndësishëm kanë luajtur aleatët e mi, të cilët në çdo rast kanë qenë në kërkim të një zgjidhjeje të mundshme. Rol të rëndësishëm ka luajtur dialogu në tërësi. Pavarësisht nga pozicioni, çdo ditë ka patur dialog midis forcave politike, eksponentëve të tyre. Rol të rëndësishëm ka luajtur faktori ndërkombëtar, i cili ka insistuar qartazi në respektimin e kushtetuetshmërisë së vendit. Rol të rëndësishëm kanë luajtur mediat, të cilat nuk u pajtuam me qendrimet absurde, me zëvendësimin e standarteve me pretekstin. Mediat u bënë avokatët e interesit të votës së shqiptarëve. Analistët, me opinionet e tyre, u shndërruan edhe ata në një faktor shumë të rëndësishëm të përpunimit të një qendrimi të ri.
Mund të them se, vërtet, këto ditë role të rëndësishme kanë luajtur partitë tona aleate me disa parti të majta, por nuk mund të them se u transformua e tërë opozita brenda disa orëve. Ishin të shumtë ata, në gjirin e PS, që kërkonin zgjidhje, kërkonin zgjedhje dhe vetëm një pakicë e tyre pretendonte se zgjedhjet duhej të shtyheshin për në tetor, se zgjedhjet duhet të shtyheshin për në pranverë, se zgjedhjet dështuan dhe se Shqipëria nuk mund të bëje zgjedhje, deri në paranoja të tilla se ka dështuar republika, se Kodi Zgjedhor, që është një ligj konsensual, ka falimentuar.
Natyrisht në të gjithë këtë zhvillim, forcat politike janë udhëhequr edhe nga faktorë bazë, nga disa interesa të veçanta kombëtare, zhvillime të rëndësishme kombëtare. Mendoj se çdo njeri i ka patur parasysh investimet publike dhe private, të cilat kërkojnë një klimë paqeje dhe janë jetike për Shqipërinë, si dhe reformat në tërësi. Pra, një kompleks faktorësh solli këtë zhvillim të sotëm, të cilin unë e konsideroj një zhvillim shumë pozitiv.
Pyetje: Për ju personalisht cilat ishin motivet për arritjen e konsensusit?
Kryeministri: Motivet ishin të përgjithshme, sikundër edhe të forcave të tjera politike. Një motiv shumë madhor ishin dhe janë disa interesa kombëtare të veçanta, të cilat trajtohen gjatë këtyre muajve. Një motiv po kaq madhor është nënshkrimi i Msrrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe mesazhi i Rigës. Faktikisht këto janë dy ngjarje historike për shqiptarët. Ne jemi zotuar në mënyrë të përsëritur se do të marrim çdo masë, çdo vendim për të përshpejtuar anëtarësimin në NATO dhe BE. Në këtë kontekst, e kam theksuar edhe në dalje të mëparshme publike, unë nuk mund të kufizohem nga asgjë për t'i shërbyer këtyre dy objektivave historikë më madhore për të ardhmen e vendit.
Gjithashtu kanë ndikuar sigurisht ritmi i reformave, të cilat janë jetike për vendin. Ka një vërshim të paparë të biznesit ndërkombëtar drejt Shqipërisë dhe kjo do të kishte një impakt jo pozitiv.
Por jo më pak është vota e lirë. Edhe në marrëveshjen e gushtit kam deklaruar se e pranova atë marrëveshje me qëllimin më të mirë që të rritet ndjeshëm besueshmëria e opozitës në procesin zgjedhor.
Aleatët janë edhe ata një motiv. Një qeveri koalicioni është qeveri koalicioni dhe jo e një partie. Në këtë kontekst, brenda programit, pa asnjë mëdyshje, je i detyruar të përfillësh zërin e tyre, aq më tepër kur ai ishte në sintoni edhe me përpjekjet e mia.
Unë kam bërë përpjekje çdo orë dhe çdo ditë për të arritur në një zgjidhje të qendrueshme. Problemi i madh nuk ishte lëvizja e datës, e theksoj nuk ishte problem lëvizja e 20 janarit. Problem ishte fiksimi i datës tjetër, sepse dikush e konceptoi atë datë si një datë që nuk e jepte, si një datë me të cilin mund të tërhiqte zvarrë zgjedhjet dhe vendin. Në rast se nuk do të përcaktohej një datë brenda afatit kushtetues, ne do të ecnim në emër të kushtetuetshmërisë dhe shtetit ligjor, kishim dekretin e Presidentit, ishte afati kushtetues, ishin ligjet që diktonin datën e zgjedhjeve. Ne do të shkonim drejt zgjedhjeve absolutisht me defekt serioz pa opozitën, por fondamentale ishte që askush të mos merrte peng procesin zgjedhor. Besoj se bëmë një zgjidhje shumë të mirë. Një pjesë e opozitës e kuptoi se teza dhe pikëpamja se zgjedhjet dështuan, se Kodi Elektoral ka dështuar, se këtu nuk po mbahen zgjedhje, se ato do të shtyhen në tetor, ishin absurditete shumë të dëmshme për vendin, por edhe për opozitën.
Pyetje: Zoti Berisha konsensusin e jepni për opozitën në tërësi, apo për një pjesë të saj?
Kryeministri: Të jem i sinqertë zgjidhja nisi me një pjesë të opozitës, me atë pjesë të opozitës e cila deklaroi se standartet dhe sebepet janë dy gjëra të ndryshme, se kushtetuetshmëria duhet respektuar dhe mbi këtë bazë mori një vendim shumë të rëndësishëm për të votuar Kodin Zgjedhor. Natyrisht kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve në mënyrë që listat të kishin një kohë më të gjatë ekspozimi. Dhe kjo plotësisht normale.
Ne paraqitëm, bashkë me partitë aleate, një paketë të rëndësishme. Një paketë, e cila nuk them se ishte e përsosur, por që dëshmonte vullnetin tonë të hekurt e të qartë për të bërë çdo përpjekje, për të dhënë çdo siguri për të gjithë ata që e kishin me sinqeritet dhe që vërtet donin të paraqiteshin në zgjedhje, që i konsiderojnë ato të domosdoshme. Po të kemi parasysh, zhvillimet nisën para paketës, por ecën me shpejtësi pas dorëzimit të saj.
Pyetje:Çfarë prisni nga seanca e nesërme plenare zoti Berisha?
Kryeministri: Në seancën e nesërme plenare, ne shkojmë të vendosur të votojmë amendamentet e përbashkëta, të cilat i japin transparencën e plotë procesit zgjedhor, që janë të domosdoshme, sikundër qendroj edhe një herë i gatshëm për të votuar amendamentet e bazuara në marrëveshjen e gushtit, pavarësisht se ato nuk kanë të bëjnë pothuajse fare me koalicionin, janë të tëra në interes të opozitës. E kam theksuar ditën kur u nënshkrua marrëveshja dhe deri më sot që për mua është e rëndësishme që të rritet besueshmëria e opozitës në procesin zgjedhor dhe jam gati t'i votoj ato.
Pyetje: Në media ka qarkulluar nga një zyrtar se një kontribut në arritjen e konsensusit ka patur Fatos Nano. Vërtet e ka ai këtë meritë?
Kryeministri: Unë shpjegova qartësisht sesi u zhvillua. Nuk përjashtoj faktin se fjala e tij në parlament, insistimi i tij për respektimin e marrëveshjeve dhe largimi nga praktikat obstruksioniste të opozitës, - Edvini tha u mallëngjeva dhe mund ta kuptoni sesi mallëngjehet ai, nuk mund ta marrësh parasysh psikologjinë e tij, - e sigurtë është se tek një shumicë e madhe deputetësh të PS-së ajo pati ndikim. Sesi i kanë marrëdhëniet brenda e tyre absolutisht nuk e di, por di që fjala pati një impakt pozitiv. Këtë nuk mund ta injoroj. Marrëveshjet janë për t'u zbatuar, konsesuset janë për t'u mbajtur dhe jo për t'u hedhur poshtë. Disa nga pikëpamjet e paraqitura në fjalën e tij në parlament u komentuan në mënyra të ndryshme. Edvini tha se u mallëngjeva, por të tjerët nuk them se nuk u lehtësuan.