E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë vizitës në Fier, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e poliklinikës së re të qytetit, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 24 milionë lekë të reja. Krye

Gjatë vizitës në Fier, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e poliklinikës së re të qytetit, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 24 milionë lekë të reja.

Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e reja të poliklinikës, e cila përfshin të gjitha specialitetet dhe është e pajisur me laboratore modernë, ku në mënyrë të veçantë, Kryeministri vlerësoi laboratorin e talasemisë, si laborator i niveleve bashkohore.

Më pas, Kryeministri u takua me personelin mjekësor, mjekët, infermierët e sanitarët. Në takimin me ta, Kryeministri shprehu kënaqësinë për rikonstruksionin e kësaj poliklinike, e cila u shndërrua në një ndërtesë të re, të pajisur me mjete moderne dhe të standarteve për shërbimin ndaj qytetarëve.

Kryeministri siguroi se qeveria ka të gjitha potencialet, mundësitë dhe vullnetet që çdo institucion të rëndësishëm, që i shërben njeriut dhe mirëqenies së tij, ta sjellë në standardet e kësaj poliklinike.

Duke vlerësuar rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka sektori i shëndetësisë për qytetarët, Kryeministri u shpreh se qeveria është e angazhuar në dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. "Ne vërtet e kemi nisur me rregullimin e rrugëve dhe të infrastrukturës, po ju siguroj se brenda mandatit ne do të kemi dyfishuar buxhetin për shëndetësinë, sikundër do të rrisim rrogat e punonjësve të shërbimit shëndetësor, të infermiereve, sanitareve, pasi e konsiderojmë të rëndësishme rritjen e rrogave të këtij sektori. Eshtë e shumë e rëndësishme që ata të shpërblehen për punën që bëjnë."

Më pas, Kryeministri u ndal në projektet e parashikuara për modernizimin e sistemit shëndetësor në vend, ku një vend të posaçëm do të zërë ristrukturimi i reparteve të reanimacionit për spitalet pediatrike në rrethet më të mëdha të vendit, si dhe modernizimi në tërësi në mjete dhe pajisje i rrjetit spitalor në shkallë vendi.

Duke theksuar përparësinë absolute që ka kujdesi shëndetësor ndaj qytetarit, në bashkëbisedimin me drejtuesit, Kryeministri kërkoi hartimin sa më parë të projektit për ristrukturimin e spitalit të Fierit. "Ju kërkoj që të bëni projektin e ristrukturimit të plotë të spitalit te Fierit, sepse më lëndohet zemra kur shoh spitale të rrënuara. Ne po ndërtojmë korridore të mëdha dhe vepra të mëdha publike, por të mos mendoni se ka përparësi tjetër më të madhe sesa spitalet dhe shkollat," u shpreh Kryeministri.

Në kuadrin e përmirësimit dhe modernizimit të sistemit spitalor, Kryeministri solli shembullin e qendrës spitalore "Nënë Tereza", për të cilën qeveria disponon të gjitha mundësite financiare që të shnderrohet në një qendër moderne të standarteve evropiane, me aparatura të kohës dhe me një personel të kualifikuar. Pas ristrukturimit të kësaj qendre, u shpreh Kryeministri, do të shndërrohen edhe të gjitha qendrat e tjera spitalore të vendit.

Duke folur për hapat e ndërmarra nga qeveria për refomën në shëndetësi, Kryeministri theksoi, si tiparin më të rëndësishëm të saj, luftën kundër korrupsionit në rradhët e bluzave të bardha dhe siguroi se qeveria do të japë mbështetje të plotë për një shërbim modern dhe të standarteve të larta për qytetarët. "Kjo reformë është e vështirë kudo, madje edhe në vendet me standarde të larta. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne do të tërhiqemi nga reforma, përkundrazi do ta vazhdojmë atë me shpejtësi. Edhe njëherë, ju siguroj se do të keni mbështetejen e plotë të qeverisë për nje shërbim modern dhe të standardeve të larta për qytetarët", theksoi Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri shtroi nevojën urgjente për të ndryshuar me shpejtësi qëndrimin ndaj mjedisit, i cili po gllabëron jetë njerëzish, si rezultat i ndotjes së thellë.

Dikur, u shpreh Kryeministri, Elbasani konsiderohej si qyteti me i ndotur, por për fat të keq, tani, ky qytet është Tirana dhe kjo për shkak të papërgjegjshmërisë njerëzore, të autoriteteve vendore. Për këtë arsye, vijoi Kryeministri, "duhet të merren masa të rrepta për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›