Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për Arian Ndojën
Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për prokurorin e qytetit të Durrësit, Arian Ndoja, për të cilin pretendohet se ka fshehur pasurinë e tij. Kryeprokurori i rrethit të Durrësit, Arian Ndoja, do të jetë në hetim nga Prokuroria e Tiranës nën e akuzën e “refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Hetimet për prokurorin e Durrësit kanë filluar nga kallëzimi që është bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, sipas të cilit, pretendohet se prokurori i qytetit të Durrësit ka fshehur pasurinë e tij. Sipas ILDKP-së, Ndoja është pyetur për burimet e krijimit të pasurisë, arsyet e mosregjistrimit në organet tatimore dhe mospagimit të detyrimeve fiskale, për të cilat ai ka deklaruar se asnjë ligj nuk e detyron të regjistrohej në organet tatimore dhe se nuk ka pasur detyrim për t’u njohur me legjislacionin në fuqi. Ndërkohë nga llogaritja e të dhënave të deklarimit të këtij subjekti rezulton se ai për periudhën qershor 2004-janar 2008 ka përfituar të ardhura nga puna e tij si avokat i Dhomës së Avokatisë Tiranë, në shumën prej 743.000 eurosh. Por nga hetimi i inspektorëve është konstatuar se Ndoja ka fshehur shumën prej 86 mijë eurosh, pasi në faturat e paraqitura dhe përllogaritjet e tyre, pasuria e tij ka qenë 657.000 euro, duke bërë që akuza ndaj Ndojës të shtrihet edhe më deri në shmangie të plotë të të gjitha detyrimeve fiskale ndaj shtetit.