Gjelbërimi i Tiranës me financues privatë, sipërfaqet e gjelbra zëvendësohen me betonishtet Rama

Çdokush që ecën sadopak rugëve të Tiranës, por qoftë edhe nga makina apo automjeti, i ka zënë syri tabelat nëpër bulevarde, apo rrugë kryesore gjelbërimi i kësaj rruge është mundësuar nga X bankë, këto pemë janë dhuruar nga X donacion etj, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. E pra kjo tregon më së miri ndihmesën e mjaft subjekteve private vendase apo të huaja, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet, por që kujdesen edhe për gjelbërimin e kryeqytetit.
Financimi dhe ndihmesa e këtyre subjekteve është për tu vlerësuar, por ajo që nuk kuptohet në këtë rast ka të bëjë me faktin e pazbuluar dhe mungesën e transparencës se ku shkojnë gjithë ato të ardhura që mblidhen nga taksat e Bashkisë së Tiranës, të cilat kryebashkiaku Edi Rama i ka dyfishuar nga viti në vit. Paguajnë qytetarët taksë pas takse, për gjelbërimin e kryeqytetit, por edhe ato dy tre rrugë e bulevarde kryesore që gjelbërohen, e kanë të deklaruar financuesin në tabelë, qysh në fillimin e tyre. Duke parë se gjelbërimi i Tiranës ka sponsorë shumë firma private, nuk kuptojmë se ku shkojnë paratë e qytetarëve për gjelbërimin e qytetit të tyre të cilëve bashkia jua merr në formë taksash. Nëse kryebashkiaku i Tiranës pretendon se ka rritur sipërfaqen e gjelbëruar me 4.3 metër katrorë nga 3.1m2, gjë e cila është një mashtrim për ditë një prilli, mund të na i vërtetojë me fakte se kush janë këto ambiente të gjelbëruara. Por sipas vëzhgimeve të gazetës Sot kryebashkiaku i Tiranës merr paratë nga qytetarët e Tiranës për të bërë fushata publicitare dhe për të grabitur para nëpërmjet tenderëve fiktivë, jo për të rritur sipërfaqe e gjelbëruar. Fakt janë që edhe ato pak lulishte që ekzistonin në Tiranë janë kthyer në masive betoni dhe pllakash, ku pemët dhe gjelbërimi duken në minorancë të plotë.