Withers tregon përrallën Borëbardha dhe shtatë xhuxhat në Gjirokastër

Ambasadori amerikan i është rikthyer pasionit të rrëfimit të përrallave për fëmijë. Kësaj here ai ka përcjellë në gjuhën e tij amtare përrallën më të njohur Borëbardha dhe shtatë xhuxhat për fëmijët e klasave fillore të shkollës 9- vjeçare Naim Frashëri në qytetin e Gjirokastrës. Si një prind i vërtetë, ai i ka lexuar me plot kujdes fragmentet nga kjo përrallë për fëmijë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Withers ka zgjedhur një prej institucioneve më model në qytet për të parë nga afër procesin e mësimdhënies si dhe ambientet e rehabilituara nga qeveria shqiptare dy vjet më parë.
Ai ka shprehur habinë me reagimin e nxënësve të vegjël të cilët në dy raste duket se e vunë në pozicion të vështirë kur iu drejtuan se do të dëshironte të ishte mësues apo dhe pyetjen nëse keni fëmijë. Për të parën ai pranoi se kishte dhënë mësim për dy vjet rresht në Etiopi para se të fillonte karrierën diplomatike, ndërsa për ekzistencën e fëmijëve ambasadori amerikan u mjaftua duke prezantuar bashkëshorten e tij dhe ekzistencën e prindërve në New York. Përralla që ai lexoi para fëmijëve siç u shpreh më pas, i ka pëlqyer gjithmonë pasi i lexohej nga e ëma në vitet e fëmijërisë. Më tepër se çdo tjetër më ka pëlqyer Piter Pan dhe nëse do të fluturoja do të përshkruaja nga lartësia rrugën nga SHBA në Shqipëri-është shprehur Withers. Më pas, zoti Withers, i ka dhënë disa këshilla nxënësve, duke u shprehur se Ju jeni e ardhme që do ta çoni këtë vend drejt zhvillimit bashkëkohor aq të domosdoshëm për këtë vend. Në fund të takimit, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, zoti John L. Withers, ka shkëmbyer disa dhurata simbolike me drejtuesin e shkollës Arben Rexha, ndërsa nxënësit i dhuruan një fotografi me pamje nga shkolla e tyre.