E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeliq: Gjermania nuk kërkon njohje të Kosovës nga Serbia

Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq, deklaroi sot se në mbledhjen zyrtare me deputetët gjermanë, nuk është paraqitur qëndrimi se njohja e Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Serbia e di se çështjen e Kosovës duhet ta zgjidhim para hyrjes në BE, ndërsa nga ana tjetër, kjo zgjidhje nuk mund të jetë njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, u tha Gjeliq, gazetarëve në Beograd.

Sipas tij, “Gjermania në asnjë mënyrë nuk kërkon njohje të Kosovës nga ana e Serbisë”.

Anëtarët e Parlamentit të Gjermanisë, dje në një bisedë me gazetarët e Beogradit, kanë thënë se fillimi i negociatave për pranim të Serbisë në BE, nuk do të jetë i rrezikuar, me kërkesën për njohjen e Kosovës, por deri në fund të këtij procesi, Serbia, do të jetë e detyruar të pranojë pavarësinë e Kosovës, që të bëhet anëtare e BE-së.

“Në fund të negociatave për anëtarësim, njohja faktike e Kosovës duhet të jetë në tavolinë, e nëse kjo mungon, Parlamenti gjerman nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Serbisë në BE”, thanë deputetët e Bundestagut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›