Kreu i Doganave, pas shkarkimit të Dervishit emërohet në detyrë Pema
Endri Pema është emri i drejtorit të ri të Doganave Shqiptare që do të zëvendësojë kreun e shkarkuar me vendim të kryeministrit, Përparim Dervishi. Emërimi i Pemës është prezantuar dje nga zëvendësministri i Financave, Florian Mima. Para se të merrte emërimin, Endri Pema punonte si zyrtar i lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Vendimin e shkarkimit, zëvendësministri Mima e ka motivuar dje me faktin e rënies së të ardhurve nga doganat. Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të doganave, Mima ka kërkuar që doganat duhet të kenë marrëdhënie më të mira me biznesin. Drejtori i sapo emëruar Pema, ka kërkuar masa të rrepta në këtë drejtim, duke nënvizuar se nuk do të ketë më punë fiktive. “Targeti im do të jetë rritja e performancës. Kërkoj më shumë punë nga punonjësit”,- tha Pema në fjalën e tij. Ndërsa ish-drejtori Dervishi theksoi se ndryshimet sjellin rezultate, për të shtuar se në dogana ishte ndërmarrë reforma por në vitin 2009, nisi të ndihej kriza ekonomike, gjë që vështirësoi punën në këtë sektor. Shkarkimi i Dervishit u bë me propozim të ministrit të Financave, Ridvan Bode. Përparim Dervishi e ka marrë detyrën në vitin 2005, menjëherë pas ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë. Dervishi ka qenë një nga drejtorët më jetë gjatë në krye të doganave. Por gjatë qëndrimit të tij në këtë post doganat kanë mundur përgjithësisht të realizojnë planin e mbledhjes së të ardhurave, por jo pak herë janë krijuar konflikte me të shkarkuarit nga puna, përmbarimin apo dhe inspektoratin e gazit dhe të naftës. Së fundi doganat patën rënie të treguesve duke krijuar një rezultat të dukshëm më negativ se sa vitet e tjera.
17 Prill 2009