Kriza globale: FMN-ë jep parashikime të zymta për ekonominë botërore
SHBA- Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi dje nëpërmjet një studimi të fundit se parashikimet për ekonominë botërore flasin për një recesion më të gjatë dhe me intensiv se të mëparshmit, që do të pasohet nga një rimëkëmbje "e dobët". "Përkimi i një krize financiare me një recesion botëror ka të ngjarë të sjellë një rënie të madhe të prodhimit me një kohëzgjatje të pazakontë",- shkruan FMN-ja në raportin e saj "Perspektivat për ekonominë botërore". Për të dalë në këtë konkluzion, ekonomistët e FMN bazohen në disa krahasime me kriza të mëparshme që kanë ndodhur në botë, ndërkohë që hezitojnë të përcaktojnë një datë nga e cila do të nisë rimëkëmbja e ekonomisë botërore. FMN-ja paralajmëroi gjithashtu se "tërheqja e flukseve të kapitaleve drejt vendeve në zhvillim rrezikon të vazhdojë pas krizës aktuale. Rreziku është mjaft i lartë për Evropën Lindore, ku problemet e bankave të Evropës Perëndimore, që mbizotërojnë peizazhin bankar lokal, paraqesin një kërcënim të madh për sektorin financiar dhe për ekonominë”- thuhet në raportin e FMN-së. Ky nuk është raporti i parë që del prej Fondit në lidhje me krizën, ku edhe më parë ka pasur të tilla studime që i kanë bërë thirrje shteteve më të fuqishme të botës që të marrin masa për krizën globale. Vetëm pak kohë më parë 20 vendet më të fuqishme të botës i akorduan FMN-së një fond prej 750 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonomitë botërore që kanë nevojë për likuiditet. Menjëherë sapo ky fond u dha shumë shtete kanë aplikuar për të përfituar ndihma ekonomike prej tij. Nuk kanë qenë të pakta as vendet e rajonit tonë si Bullgaria, Rumania, Turqia, Serbia, Bosnja, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat kanë kërkuar nga FMN-ë që ti ndihmojë me fonde për të përballuar krizën. Vetëm Turqia ka kërkuar së fundi nga FMN-ja një shumë prej 45 miliard eurosh për të mbështetur me kredi dhe financime ekonominë e saj. Dokumenti në fjalë do të publikohet javën e ardhshme, bëjnë të ditur agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
17 Prill 2009