Guvernatori apel qeverisë: “Shqipëria po preket nga kriza, duhet ndihmë nga FMN”
Ervin KOÇI
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë ndihmë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për t’u përballur me krizën globale. Sipas tij, vendi rrezikohet nga një ngadalësim i zhvillimit ekonomik në pjesën e dytë të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm. Kjo në një farë mënyrë tregon për një prekje të pjesshme nga kriza globale ekonomike, e cila deri tani ka ardhur me pasoja të ngadalta në ekonominë e vendit por që pritet të thelohet më tej. “Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara”, - deklaroi dje Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, në raportimin për vitin 2008 që solli para deputetëve të Kuvendit. Ai tha se, “Shqipëria duhet medoemos të përfitojë nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja që 20 vendet më të fuqishme të botës akorduan për FMN. Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret”. 20 vendet më të fuqishme të botës i akorduan FMN-së një fond prej 750 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonomitë botërore që kanë nevojë për likuiditet. Fullani duke vlerësuar kompleksitetin e sfidave me të cilat do të përballemi në vazhdim, konsideroi si themelor “rishikimin e të gjitha politikave aktuale makroekonomike dhe financiare me qëllim përshtatjen e tyre me kushtet e reja”.
Mungesa e likujditetit
Guvernatori i BSH-së tha se gjatë këtij viti, problemi kryesor i ekonomisë është mungesa e likuiditeteve, si pasojë edhe të shtrëngimit të kredive. Në këto kushte, guvernatori kërkon që të sigurohen financime nga FMN-ja. Sipas guvernatorit mungesa e likuiditetit do të vërë në vështirësi bizneset dhe do të ulë investimet private në ekonomi, por Fullani garanton se ajo nuk do të prekë sistemin bankar dhe kursimet e shqiptarëve në banka, të cilat tashmë janë edhe më të sigurta se më parë. “Problemi më i madh i ekonomisë shqiptare në vitin 2009 do të jetë mungesa e likuiditetit, pra si pasojë bankat do të zvogëlojnë mundësinë për të dhënë kredi dhe për të financuar ekonominë. Shtrëngimi i kushteve të financimit dhe kriza e likuiditetit kërkon gjetjen e burimeve të reja financiare sidomos atyre të huaja”- theksoi Fullani. Por sipas tij, “bankat private do të jenë likuide edhe në vitin 2009, pavarësisht kushteve shtrënguese. Rritja e fondit garanton pjesën dërrmuese të depozitave në masën 100 për qind. Tashmë nuk ka arsye objektive që individët të mbajnë paratë jashtë bankave”.
Depozitat
Kriza ndërkombëtare e besimit në fillim të 3-mujorit të katërt të vitit 2008, nxiti tërheqjen e një pjese të depozitave nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri e për rrjedhojë, theksoi mungesën e likuiditetit në sistemin bankar. "Kjo gjë u reflektua në rritjen e normave të interesit dhe ngadalësim të aktivitetit të bankave në tregun e parasë",- tha Fullani. BSH-ja ka ndërhyrë në tregjet monetare nëpërmjet injektimit të likuiditetit, për të mbuluar nevojat e sistemit bankar me likuiditet. Presionet inflacioniste të pranishme gjatë 6-mujorit të parë dhe lëkundja e besimit në agjentët diktuan ndjekjen e një politike monetare të kujdesshme gjatë vitit 2008. Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime. "Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet me afate maturimi javore, mujore dhe tremujore", nënvizoi Fullani. Ai shtoi se, ajo ka rritur bazën e letrave me vlerë, të cilat mund të përdoren si kolateral, si dhe ka ulur tavanin e korridorit të normave të interesit të operacioneve të saj.
Vendimi i marsit, BSH ndalon bankat të shpërndajnë fitimet
Banka e Shqipërisë ka ndaluar bankat e nivelit të dytë, si dhe degët e bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri, të shpërndajnë dividentin (fitimin) apo të transferojnë fitimet e realizuara gjatë vitit të kaluar, si dhe ato që priten të realizohen këtë vit. BSH-ë e ka bërë këtë si një masë për shëndoshjen e kapitalit aksioner. Vendimi pezullon të drejtën e aksionerëve për të tërhequr fitimet që realizojnë bankat për një afat "të pacaktuar", shkruhet në vendimin numër 28 të datës 25 mars 2008. BSH-ja e mori një vendim të tillë në kushtet kur pasiguria në shkallë botërore mund të japë pasoja të papëlqyeshme për tregun bankar shqiptar. Sistemi bankar realizoi fitime prej 11.2 miliardë lekësh, (rreth 94 milionë euro) gjatë vitit të kaluar. Viti 2008 ishte më fitimprurësi për sistemin bankar në historinë e vendit. Gjatë vitit 2007, fitimet e sistemit bankar qenë 10.5 miliardë lekë, (rreth 85 milionë euro). Ndalimi i shpërndarjes së fitimeve nga ana e BSH-së vlerësohet si një masë që synon t‘i paraprijë një situate të papëlqyeshme dhe prek para së gjithash, bankat e mëdha. Gjatë viteve të fundit, politika kryesore e BSH-së ishte përqendruar në rritjen e kapitalit aksioner të bankave që veprojnë në vend. Si pasojë, sot sistemi bankar shqiptar është më i mirëkapitalizuari në kontinentin evropian. Megjithatë, si pasojë e rritjes së kostos së depozitave, si dhe rritjes së kredive të këqija, vlerësohet se sistemi bankar nuk do të jetë më aq fitimprurës sa ishte gjatë viteve të fundit.
17 Prill 2009