E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksimetrat, kushtet teknike që duhet të plotësojnë aparatet që llogarisin distancën



Ervin KOÇI

Të gjithë shoferët që ushtrojnë shërbimin taksi në kryeqytet por dhe në rrethet e tjera të vendit, nuk do të lejohen më që të zhvillojnë aktivitetin e tyre pa i instaluar më parë mjetit të tyre aparatin “taksimetër”. Për instalimin e këtij aparati që shërben për të llogaritur distancën e përshkuar nga automjeti dhe për ta konvertuar atë në para, të gjithë drejtuesit e mjeteve taksi duhet që më parë të përmbushin disa kritere. Së pari subjektet e licencuara për shërbimin taksi, që do të pajisen me taksimetër, duhet të sigurojnë dhe montojnë në automjetin e tyre aparatin përkatës, i cili plotëson kërkesat teknike-metrologjike ligjore. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë bënë të ditur se "taksimetrat që do të vendosen në automjetet taksi të licencuara për shërbim në qytetin e Tiranës duhet që gjatë instalimit të taksimetrit të vendosin në memorien e taksimetrit tarifat konform vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës". Sipas DPM-së, pas instalimit dhe vendosjes së tarifave në memorien e taksimetrit, duhet kryer vulosja (plumbosja) përkatëse dhe subjektit të shërbimit taksi t'i lëshohet dokumentacioni përkatës, përfshirë dhe kartelën e taksimetrit të plotësuar rregullisht në të gjitha zërat e saj. Nga sa mësohet DPM-ja bën të ditur se nuk do të pranojë për verifikim asnjë taksimetër, që nuk ka të regjistruara në memorie tarifat e miratuara.

Instalimi

Drejtoria e Metrologjisë ka miratuar tre firma që plotësojnë kushtet për vendosjen e taksimetrave për taksitë që qarkullojnë në vendin tonë. Sipas një njoftimi të kësaj drejtorie, këto tre firma kanë aplikuar për lejimin e vendosjes në treg të taksimetrave të tipave të ndryshme. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe kryerja e procedurave ka rezultuar që të tre firmat kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe tre tipat e taksimetrave kanë rezultuar sipas kërkesave teknike metrologjike ligjore”, - thanë burimet zyrtare pranë DPM-së. Për të gjithë subjektet që kanë aplikuar pranë bashkive për licencim për shërbimin taksi, kjo drejtori bën me dije se vendosja e tyre në përdorim do të kryhet nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Pas miratimit të ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij, çdo taksi duhet të pajiset me këtë aparat. “Subjektet duhet të sigurojnë dhe montojnë në automjetin e tyre taksimetër që plotëson kërkesat teknike metrologjike ligjore”, - thanë burimet.

Llojet e taksimetrave

Sipas DPM-së, llojet e miratuara të taksimetrave që lejohen të hidhen në tregun shqiptar dhe të vihen në përdorim deri tani janë tre. Ata janë: taksimetër bullgar tip "Taxi Elite LG", taksimetër bullgar tip "Emtax-100", si dhe taksimetër italian tip "Digitex F3 Plus", ndërkohë që çdo aparat i tillë duhet të ketë memorie me të dhënat në gjuhen shqipe dhe duhet të jetë i pajisur me printer. Do të jetë më pas vet DPM-ja specialistët e të cilës do të bëjnë verifikimet periodike për çdo aparat të çdo automjeti taksi.

Problematika

Licencat e bllokuara dhe tarifat respektive mbeten një nga problemet kryesore që vijojnë të shqetësojnë operatorët e shërbimit të transportit rrugor. E ndërsa, përfaqësues të sindikatës në vend janë në pritje të normalizimit të aktivitetit për pajisjen e licencave për taksitë, situata ka ngelur pezull dhe e bllokuar. Sipas presidentit të Sindikatës së Transportit të Shqipërisë, Gëzim Qato, në takimet që ka zhvilluar me anëtarët e sindikatës, përfaqësuesit e bashkisë shprehen se një gjë e tillë i takon Ministrisë së Financave dhe për këtë arsye është bllokuar procesi i licencimit. Kështu, ndërsa bashkia pretendon se detyrimin primar për nxjerrjen aprovimin e licencave të taksive është e Ministrisë së Financave, nga kjo e fundit nuk është marrë asnjë masë konkrete. Situata rezulton në fazën e vakumit të zgjidhjes që prej muajit janar, e ndërsa janë bërë katër muaj që nuk jepet asnjë licencë nga bashkitë apo rinovohen licencat ekzistente për taksitë.

Tarifat bazë të çmimeve për automjetet taksi 4+1

1. Tarifa bazë në nisje ditën 100 Lekë
2. Tarifa bazë në nisje natën 100 Lekë
3. Tarifa në pritje (dispozicion) ditën 10 minuta 10 Lekë (1 orë 60 Lekë)
4. Tarifa në pritje (dispozicion) natën 10 minuta 20 Lekë (1 orë 120 Lekë)
5. Tarifa për 1 km udhëtimi ditën brenda qytetit ( brenda vijës së verdhë) 90 Lekë
6. Tarifa për 1 km udhëtimi natën brenda qytetit ( brenda vijës së verdhë ) 100 Lekë
7. Tarifa për 1 km udhëtimi ditën jashtë qytetit 60 Lekë
8. Tarifa për 1 km udhëtimi natën
Orë natë quhet nga ora 21.00 deri në orën 05.00

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›