E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjen vdekjen 11-vjeçari, vuante nga epilepsia

Ka gjetur vdekjen paraditen e djeshme, brenda pak orëve, një 11-vjeçar nga fshati Lapardha i rrethit Berat. Burime spitalore kanë bërë të ditur se ditën e djeshme, rreth orës 9 të mëngjesit, në këtë spital është sjellë nga familjarët për vizitë 11-vjeçari me inicialet A .M. Pas vizitës është konstatuar se fëmija vuante nga sëmundja e epilepsisë. Pas dhënies së recetës me qetësues, 11-vjeçari i shoqëruar prej familjarëve është përcjellë për në shtëpinë e tij. Sipas familjarëve, gjendja e 11-vjeçarit ka ardhur duke u përkeqësuar, derisa ka ndërruar jetë. Familjarët të alarmuar i janë drejtuar përsëri spitalit, por për vogëlushin ka qenë vonë, pasi mjekët kanë konstatuar se fëmija kishte ndërruar jetë shumë orë para se të mbërrinte në spital. Trupi i pa jetë i 11-vjeçarit është përcjellë për në morg ku dhe më pas i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, e cila është kryer paraditen e djeshme. Sipas mjekut të ekspertizës, janë marrë kampione gjaku për t’u analizuar në Laboratorin Qendror në Tiranë, për të vërtetuar shkencërisht dhe shkakun e vdekjes së 11-vjeçarit, e ndodhur brenda pak orëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›