E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhet private mbysin Durrësin

Megjithëse sezoni veror është në pikun e tij, kur zona bregdetare e Durrësit janë 5-fishuar në numër popullsie, megjithëse turistët nga vendi dhe rajoni kanë mbushur vilat, pallatet, motelet dhe hotelet e plazhit, duket se sfidën më të madhe bashkia e qytetit e ka jo me rregullin dhe higjienën, por me ato që prej vitesh po quhen rëndom “plazhe private”. Moda e tyre ka vite që ka nisur të pushtojë gjithë zonën e plazhit të dikurshëm publik, duke mos lënë pothuajse asnjë metër katror vend për shumicën e cila vjen me mjete të tilla si urbanë apo autobusë të linjës, dhe me çadër në duar sorollaten për të gjetur një hapësirë për të marrë rreze dielli. E gjithë vija bregdetare me gjatësi prej 14 km, si dhe Currilat, prej gati dy muajsh gjendet e mbushur me tabela “Plazh privat”, dhe çadra e shezlongë të ngulur deri në bregun e detit. Në bashki mësuam se janë afro 34 plazhe private që shtrihen nga sektori “Teuta” deri tek Plepat, dhe po aq edhe në Currilat. Qytetarët e Durrësit, prej 2 javësh i kanë dorëzuar një peticion proteste kryetarit të baskisë, Vangjush Dako, ku i kërkojnë atij “prishjen e tyre, për të lejuar ushtrimin e plazheve publike”. Dako mësohet se ka urdhëruar të hënën Policinë e Ndërtimit për prishjen e të gjitha “plazheve private”, duke nisur kështu aksionin e shumëpritur nga qytetarët durrsakë.

Dështimi i aksionit të Ndërtimores

Prej 2 muajsh Policia e Ndërtimit është vendosur ligjërisht nën administrimin e bashkive dhe komunave dhe është e detyruar të zbatojë vendimet e KRRT-së për prishjen dhe bllokimin e çdo objekti të paligjshëm që ngrihet në qytet dhe krejt vijën e verdhë të tij. Prej disa ditësh paralelisht me kryetarin Dako një peticion proteste ka marrë nga qytetarët e Durrësit edhe dega e Policisë Ndërtimore. Në peticionet e tyre banorët tregojnë se kemi të bëjmë me zyrtarë të baskisë që kanë marrë me qera plazhet. Problemin e ngritur e di edhe kryetari Dako, i cili ka urdhëruar dje “verifikimin e listës emërore dhe zbatimin e ligjit për cilindo që ka marrë me qera plazhe private, qoftë ky edhe zyrtar bashkie.

Çmimet e plazheve private

Çmimet e plazheve private (të ligjshme dhe të paligjshme) variojnë sipas ditëve dhe vendeve, ku ato ndodhen. Kjo sepse nuk janë të njëjta çmimet në sektorin “Teuta”, me sektorin “Hekurudha” dhe “Iliria”, apo me Currilat. Kështu, një çadër në plazhet private në sektorin “Teuta” kushton 200 lekë, në sektorin “Hekurudha”-“Iliria” dhe Currila 250 lekë, një shezlong kushton në sektorin “Teuta” 250 lekë, në sektorin “Hekurudha”-“Iliria” dhe Currila 300 lekë, duke mos llogaritur pastaj blerjen e një lëngu si ujë apo lëng frutash ku çmimet janë 4-5 fish më të larta se tek pikat e shumicës. Gjithmonë ai që pranon të akomodohet tek plazhet private, e ka të detyrueshme blerjen e lëngjeve freskuese tek banaqet e ngritura pranë tyre dhe jo diku tjetër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›