E Diel, 1 Nëntor 2026

Krujë; Tenton të kalojë shinat e trenit, përplaset nga treni i mallrave

Një aksident ka ndodhur dy ditë më parë në linjën hekurudhore pranë fshatit Gramëz në rrethin e Krujës. Një automjet me targa të Laçit ka tentuar të kalojë mbi shinat e hekurudhës me shpejtësi në momentin kur po kalonte një tren mallrash. Automjeti, i cili në fillim është përplasur me traun e postbllokut, është goditur në pjesën e pasme nga treni. Tre pasagjerët e automjetit që u aksidentua, fatmirësisht pësuan vetëm plagë të lehta duke shpëtuar mrekullisht nga goditja e trenit. Sipas policisë, shkaktar i aksidentit ishte drejtuesi i autoveturës, i cili nuk respektoi sinjalet që paralajmëronin kalimin e trenit.

Korçë

Djegia e fushave pas korrjes, rrezik për zonat e banuara

Djegia e fushave pas korrjes së grurit po kërcënon seriozisht zonat e banuara. Dje, për shkak të djegies së një fushe pas korrjes së grurit, në afërsi të fshatit Çiflik, dy kilometër larg Korçës, zjarri ka dalë nga kontrolli. Si pasojë e flakëve që nisën të përhapeshin me shumë shpejtësi, të ndihmuar edhe nga era që frynte, është rrezikuar një nga fabrikat e prodhimit të pajisjeve hidro-sanitare. Banorët, të alarmuar dhe frikësuar për përmasat që po merrte zjarri, kanë njoftuar forcat e zjarrfikëses, sepse flakët po u afroheshin banesave të tyre. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka bërë të mundur lokalizimin e zjarrit, i cili ka përshkuar sipërfaqe të tëra. Pak ditë më parë një tjetër zjarr ka djegur në fshatin Libonik të mbjella me pemëtore, dhe kjo për shkak të djegies së kashtës pas korrjes së grurit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›