Gjenden 10 celularë në burg
BURREL - Dhjetë celularë u gjetën mëngjesin e djeshëm në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Burrel. Burime të besueshme informacioni pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Mat, pohuan se forcat e sigurisë së burgut kanë bllokuar në orët e para të mëngjesit aparatet celularë. Prokuroria, policia lokale dhe zyrtarët e burgut janë mjaft të rezervuara në dhënien e informacionit, duke lënë hapësira për aludime të ndryshme, si për numrin e celularëve të bllokuar, ashtu dhe për atë se për kë ishin adresuar ato. Rreth orës 08:30 gardianët e burgut janë urdhëruar nga drejtori Shkëlqim Gjoçuka të ushtrojnë kontroll në mjediset e burgut të sigurisë së lartë. Kontrolli ka qenë i befasishëm dhe mjaft korrekt. Sapo rojet kanë nisur kontrollin është informuar dhe prokurori i Matit, Abaz Muça, i cili ka asistuar gjatë bllokimit të aparateve celularë, mjete këto të ndaluara për burgjet shqiptare. Bashkë me prokurorin e rrethit në vendngjarje kanë mbërritur dhe efektiva të policisë së Matit, të cilët iu kanë ardhur në ndihmë punonjësve të burgut. Nga grupet që morën pjesë në aksion nuk jepen detaje se si u bllokuan celularët, por burime të rezervuara sqarojnë se ato ishin adresuar tek të dënuar me burgim të përjetshëm, të cilët aktualisht banojnë në seksionin B të këtij burgu. Mes tyre janë dhe emrat e Zani Çaushit apo Jaho Mulosmanit. Nuk është ende e qartë nëse celularët u bllokuan gjatë dërgimit të tyre në qeli, apo ato iu sekuestruan të dënuarve në qeli. Nuk është hera e parë që në burgjet tonë gjenden celularë e sende të tjera të ndaluara. Madje nëpërmjet këtyre celularëve disa të dënuar kanë ushtruar presion mbi njerëzit që ndodhen jashtë burgut. h.p