E Diel, 1 Nëntor 2026

Paditen 42 policë maqedonas të Qafë-Thanës

 

SHKUP - Ministria e Brendshme e Maqedonisë njoftoi, se ka ngritur padi penale për 42 policë në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë” me Shqipërinë. Efektivat e rendit akuzohen, se kanë kryer shpërdorim të detyrës. Në një komunikatë të MPB-së thuhet se policët akuzohen për shkelje të rregullores dhe ligjit, pasi që nga periudha e vitit 2005 deri më 2007 kanë lejuar hyrjen e mjeteve të rënda transportuese në Maqedoni, ngarkesa e të cilëve kishte kaluar peshën e lejuar. “Me këto keqpërdorime buxheti i shtetit është dëmtuar 45 mijë euro. Ndërmarrja “Makedonija Pat” është dëmtuar 100 mijë euro, ndërsa është mundësuar edhe pasurimi antiligjor në favor të individëve të caktuar në vlerë prej 140 mijë euro”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme. Nga policët që janë paditur penalisht pranë autoriteteve gjyqësore, 15 prej tyre ishin udhëheqës të turneve në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë” me Shqipërinë. Skandali është zbuluar pas një hetimi të brendshëm nga autoritetet maqedonase, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme gjyqësore dhe dosjen ia kaluan prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›