Superstrada e Lezhës, policia:Në 9 vite humbën jetën 249 vetë
LEZHE - Aksi rrugor Lezhë-Fushë Krujë është kthyer në një makth të vërtetë si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët. Faktet flasin për një tragjedi të vërtetë, ku aksidentet kanë marrë qindra jetë njerëzish. Që nga viti 1999 e deri në mes të këtij viti janë shënuar plot 1672 aksidente, nga të cilët 249 persona kanë humbur jetën, ndërsa 518 të tjerë janë plagosur. E konsideruar si superstrada e vdekjes, aksi rrugor që përshkon qarkun e Lezhës, edhe pse masat janë marrë dhe po punohet nga efektivët e policisë së qarkullimit, vazhdon të jetë i rrezikshëm. Rasti më i fundit, (ku një drejtues motoçiklete mbeti i vdekur pasi tentoi të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin) dëshmoi se mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe degëzimet e shumta të rrugës janë shkaqet kryesore të këtyre aksidenteve. Gjatë 9 viteve të fundit janë regjistruar 1672 aksidente, ndërsa për shkak të dinamikës së tyre para viteve 2005 disa aksidente të lehta nuk janë regjistruar. Nga ky numër aksidentesh të ndodhura, 497 prej tyre kanë pasoja të rënda, ndërsa 1435 të tjerë vetëm me dëme materiale. Edhe pse superstrada mban vendin e parë për numrin e aksidenteve të ndodhura, rreth 15-20% e tyre kanë ndodhur në rrugë rurale apo dytësore, pasi këto segmente nuk mbulohen me shërbime të Policisë Rrugore. Stina e dimrit ka ndikuar në shtimin e numrit të aksidenteve, kryesisht të disa zonave të thella, siç është aksi rrugor Kallmet-Kashnjet dhe Ungrej-Rrëshen-Lezhë. Superstrada që lidh Tiranën me Shkodrën u vu në efiçencë në vitin 2002, duke sjellë me vete dhe aksidentet e shumta. Kjo rrugë në të gjithë gjatësinë ka mangësi funksionale të sajë të mungesës së mbikalimeve, nënkalimeve e vendqëndrimeve, duke u bërë në këtë mënyrë tepër e rrezikshme si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët. r.n