E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohen shqiptarët, trafikuan 1.5 tonë drogë

 

Zvicër — Gjykata zvicerane dënoi vëllezërit shqiptarë Ragip dhe Kemal Shabani nga Kosova, për akuzën e drejtimit të kontrabandës së sasive masive me drogë, që janë trafikuar në Evropën Perëndimore. Në të dhënat e Gjyqit Federal të Krimeve në Zvicër, thuhet, se vëllezërit Shabani kanë kontrabanduar 1.5 tonë heroinë nga mesi i viteve ‘90 deri në vitin 2003, kur ranë në prangat e policisë. Ata mësohet se kanë përdorur si bazë të tyre një qytet të vogël në Kosovë, prej ku i kanë shpërndarë rrugët e trafikut në Maqedoni, Shqipëri, Spanjë dhe në Çeki. Gjykimi i vëllezërve Shabani, zhvilluar në një qytetin jugor të Belizonës, ku vetëm disa të afërm dhe gazetarët janë lejuar të hyjnë në seancë. Gjykatësi Jean-Luc Bacher e ka dënuar Ragip Shabanin, 42 vjeç, me 15 vjet burg, pasi kishte thyer ligjin zviceran për narkotikët. Po kështu ai është dënuar të paguajë gjobë 300 mijë franga zvicerane apo rreth 261 mijë dollarë. Vëllai i tij, Kemajli, 28 vjeç, është dënuar me dy vjet, me kusht dhe gjobë prej 90 mijë franga (rreth 78 mijë dollarë). Avokatët mbrojtës kanë pohuar se do të bëjnë apel për verdiktin, i cili ka urdhëruar konfiskimin e pasurisë së dy vëllezërve, pesë vetura luksoze dhe disa prona në Kosovë, shtëpi, restorante dhe qendra tregtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›