E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon kryekomunarin e burgosur për pronat e Kasharit

 

TIRANE - Gjykata Kushtetuese rrëzon Alfred Sulajn, ish-kryekomunarin e burgosur të Kasharit. Vendimi është dhënë pak ditë më parë dhe sipas të cilit, Sulaj e ka humbur të drejtën nga gjykatat shqiptare për t’u rikthyer në krye të Komunës së Kasharit apo për ta drejtuar këtë institucion nga qelia. Sulaj ndodhet në qeli prej 1 dhjetorit të vitit të kaluar, i akuzuar për abuzimin me tokat në komunën e tij, ndërsa u shkarkua nga detyra më 28 maj të këtij viti nga Këshilli i Ministrave me motivin “për shkelje të rënda të ligjit”. Tashmë në këtë komunë janë përsëritur zgjedhjet, që kanë nxjerrë një tjetër fitues. Gjatë gjykimit të kërkesës së Sulës, për shfuqizimin e vendimit të qeverisë ka rezultuar se ky vendim i është dërguar Këshillit të Komunës Kashar me datë 18 qershor të këtij viti dhe është depozituar në protokollin e komunës dy ditë më vonë. Sulaj, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit 302 në kryeqytet ka marrë njoftim për këtë më datë 25 qershor dhe një ditë më vonë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa e Sulës është mbështetur në dy argumente kryesore: prezumimin e pafajësisë, pasi ende ndaj tij nuk ka një vendim fajësie, si dhe fakti që prokuroria e akuzon atë ta ketë kryer veprën penale gjatë kohës, që ai ka pasur detyrën e kryeplakut të fshatit dhe jo kreut të komunës. Gjykata Kushtetuese, ka argumentuar në vendim se në këtë rast ka vepruar duke hetuar dhe gjykuar në themel çështjen, ashtu siç do vepronte një gjykatë e sistemit gjyqësor të zakonshëm. Kështu ka rezultuar se edhe pretendimi i Këshillit të Ministrave, i cili është përfaqësuar në gjykim nga shefja juridike e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xheferllari, ka qenë i gabuar. Kjo për faktin se Xhaferllari ka pohuar që ankimi i Sulës ishte jashtë afatit ligjor, ndërsa gjykata e ka konstatuar atë të paraqitur ligjërisht. Por ndryshe nga pretendimet e palëve Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se gjatë shqyrtimit të çështjes është provuar se Sulaj, me cilësinë e Kryetarit të Komunës Kashar, ka vepruar në kundërshtim me kryerjen e rregullt të funksioneve të tij duke urdhëruar që të kryheshin veprime konkrete për të rishpërndarë sipërfaqe të ndryshme toke në kundërshtim me përmbajtjen e Ligjit 7501.        fa.ma.

Argumentet

 Ka kryer veprime të paligjshme  Ka dhënë urdhra të paligjshëm  Ka kryer shkelje administrative dhe disiplinore  Akuzohet për një vepër penale  Përgjegjësia penale konkurron atë administrative apo disiplinore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›