E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër Berishës e Thaçit për akuzat

 

BURREL/ HASAN PASHA

Mungesa e një përgjigje nga autoritetet e larta të shtetit e kanë imponuar Abdulla Katuçin t’u dërgojë një tjetër letër kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi.
I shqetësuar se ai dhe shtëpia e tij janë bërë “tabelë qitjeje” nga serbët, ish-prokurorja e Hagës, Karla del Ponte, media etj., kryefamiljari Katuçi ka vendosur të shkruajë letrën e fundit, me shpresë se më në fund “dikush” do të interesohet për sqarimin e plotë të akuzave dhe zbardhjen e të vërtetës. I shoqëruar nga djali i tij, Mersini, Abdullai ka zbritur në qytetin e Burrelit dhe ka postuar letrën drejtuar Berishës e Thaçit. “Ne që ju shkruajmë këtë letër jemi babë e bir nga fshati Gurrë e Vogël të rrethit të Matit. Më 5 shkurt të vitit 2004 shtëpia jonë është kontrolluar pa vendim gjykate nga një grup prej 15 vetash, të cilët u prezantuan si hetues të Gjykatës së Hagës. Ata shoqëroheshin nga prokurori i Matit, Arben Dyla, i cili e ka konsideruar këtë kontroll të paligjshëm”, theksohet në të. Më tej, dy familjarët tregojnë peripecitë për të çuar në vend nderin e tyre. “Prej katër vitesh kemi kërkuar në të gjitha institucionet shtetërore zbardhjen e të vërtetës. Jemi ankuar pranë Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, ish-prokurorit Sollaku dhe prokurores aktuale Ina Rama, pranë Ministrisë së Drejtësisë etj. Siç jeni njohur nga mediat e shkruara dhe vizive, familja jonë ka përjetuar ankth, frikë, terror për dy ditë me radhë. Gjithë pjesëtarët e familjes jemi nxjerrë jashtë për dy ditë, madje në mjediset e shtëpisë tonë janë hedhur lëndë helmuese. Sipas mendimit tonë gjatë këtij kontrolli të paligjshëm janë shkelur të drejtat tona, ndaj kërkojmë nga ana Juaj të ndërhyni me autoritetin që keni për zbardhjen e të vërtetës. Ne kërkojmë gjetjen e personave që sajuan këtë shpifje për familjen tonë dhe vënien e drejtësisë në vend si dhe dëmshpërblimin moral e material që na kanë sjellë”. Këtë, sipas Abdulla e Mersin Katuçit e kërkojnë nga qeveria shqiptare, e cila duhet të ketë qenë në dijeni për kontrollin e ushtruar në shtëpinë e tyre. Letra e Katuçëve drejtuar dy kryeministrave shqiptarë është më shumë apel për strukturat e shtetit tonë, që ato të zbardhin të vërtetën e akuzave të Del Pontes. Abdulla Katuçi falënderon deputetin e zonës, Qemal Minxhozi, jo vetëm për vizitat e herëpashershme në Gurrë, por edhe për prononcimet e tij në media, duke kërkuar gjetjen e të vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të atyre personave që sajuan akuzën për familjen e nderuar të Katuçit. Ai nuk ngurron të thotë se ka pritur më shumë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Avokati i Popullit, Grupi i të Drejtave të Njeriut, Ministria e Jashtme dhe autoritete të tjera të vendit, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›