Gjenden 270 gramë heroinë në banesë, në kërkim i riu
TIRANE – Policia ka shpallur në kërkim një 30-vjeçar banues në kryeqytet, pasi në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike. Akuza e ngritur ndaj të dyshuarit Behar Lani, është “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Policia tha se në banesën e të kërkuarit është gjetur sasia prej 270 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Burime nga policia thanë se prej disa javësh, në bazë të informacioneve që kishin arritur të merrnin në rrugë operative, kishin arritur të merrnin një leje për kontrollin e një banese në zonën e njohur si “Frigoriferi” në Tiranë. Pasi është firmosur urdhri i kontrollit, një grup oficerësh nga Antidroga e Tiranës, kanë ushtruar kontroll në banesën e familjes Lani në rrugën “Siri Kodra”, në kryeqytet. Burime nga policia thanë se nga ky kontroll i befasishëm është zbuluar sasia prej 270 gramë heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje, të cilat ishin fshehur në orendi të ndryshme në shtëpi. Ndërsa personi, i cili hetohej prej kohësh nga policia, në atë moment nuk ndodhej në banesë. Burimet e policisë sqaruan se pronari i lëndës narkotike, që u zbulua mbrëmjen e djeshme, është Behar Lani, 30 vjeç, i pa proceduar më parë për vepra penale. Ndaj tij kishte nisur hetimet seksioni i Antidrogës, pas disa operacioneve nga persona të ndryshëm, se Lani merrej me shitje droge, kryesisht heroinë. Pasi kanë siguruar provat e mjaftueshme, që fajësonin 30-vjeçarin për këtë vepër penale dhe pas aplikimit të disa metodave speciale nga ana e policisë, u bë i mundur zbulimi i lëndës narkotike, heroinë. Ndërsa vetë i akuzuari, Behar Lani, është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tij. Mbrëmë gjatë gjithë natës, banesa e tij në zonën e “Frigoriferit” është patrulluar nga agjentë policie, por mësohet se ai nuk është parë të kalojë më në lagjen e tij. Policia ka nisur hetimet edhe për kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të tij. e.d