Mashtroi me vizat, në gjyq “miku” i zyrtarëve
TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit mbyll hetimet për një 48-vjeçar të akuzuar se kishte mashtruar dy të rinj, duke u premtuar viza “Shengen”. Sipas akuzës, duke u prezantuar si mik i zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme u kishte marrë atyre 2 mijë euro. Dosja me të pandehur Stavri Markun është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Sipas prokurorisë, mbi Markun rëndon akuza e “mashtrimit”. Pas mbërritjes së dosjes në gjykatë, gjyqtari Bujar Krasniqi është përzgjedhur si toga e zezë që do ta shqyrtojë atë. Bëhet e ditur se hetimi ndaj Markut nisi në qershor të vitit të kaluar. Ndjekja penale ndaj tij filloi pas denoncimit të dy të rinjve, A. Memia, 22 vjeç dhe D. Geca, 20 vjeç në polici se ishin mashtruar prej tij në këmbim të vizave për jashtë shtetit. Referuar kallëzimeve të dy të rinjve, Marku, u kishte marrë atyre nga 1 mijë euro në këmbim të vizave. Sipas kallëzimit, Marku u ishte prezantuar të rinjve si mik i ngushtë i disa zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Jashtme. Duke iu prezantuar në këtë formë, ai ka garantuar të rinjtë se mund t’u siguronte atyre viza “shengen”. Sipas tij, vizat do të mundësoheshin në këmbim të 1 mijë eurove, për çdonjërin nga të rinjtë. Memia dhe Geca kanë paguar shumën e kërkuar nga Marku në pritje të marrjes së vizave. Ndërsa ata ishin në prite, Marku ka humbur çdo kontakt me ta, duke marrë me vete edhe sasinë e parave. Pasi vunë re “zhdukjen” e personit që do t’u jepte vizat, bashkë me paratë e tyre, dy të rinjtë janë drejtuar në polici. ar.ba