E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden eshtrat e Zef Nikë Martinit, u pushkatua i lidhur me tela me gjemba

SHKODËR-Sot në fshatin Kuc të Shkodrës janë gjetur pas gërmimeve ne zone eshtrat e Zef Nikë Martinit, i pushkatuar nga sistemi komunist në vitin 1983.
Redaksia e News24 në shkodër bëri të ditur sot se ky aksion për gjetjen e eshtrave të personave të pushkatuar nga regjimi i diktaturës është ndërmarrë prej ditësh nga një task-force e nsiur nga Tirana në drejtim të Shkodrës. Falë skicave të Ministrisë së Brendshme u bë e mundur dhe gjetja e vendit ku mund të ishin pushkatuar të burgosurit politikë.

Trupi i Zef Nikë Martinit u gjet pranë vendit të antenave në fshatin Kuc. Kufoma ishte e prangosur në duar dhe këmbë dhe e lidhur me zinxhir përgjatë gjtihë trupit, madje dhe në qafë. Kjo dëshmon dhe mizorinë ndaj të burgosurve politike nga regjimi i diktaturës.
Eshtrat e Zef Nikë Martinit, ish-i burgosur i Spacit zbulohen pas gjetjes që iu bë pak ditë më parë eshtrave të dy të pushkatuarve të tjerë politike.

Shoqata e të përndjekurve e Shkodrës ka bërë apel sot ndaj Ministrisë së Brendshme që të mundësojë vënien në përdorim të të gjitha skicave, në mënyrë që të gjenden të gjitha eshtrat e të pushkatuarve që familjarët të mund të varrosin me dinjitet të afërmit e vrarë dhjetra vite më parë.

Ndërkohë gërmimet do të vijojnë dhe në ditët që do të vijnë, pasi në zonën e fshatit Kuc të Shkodrës dyshohet se janë kryer një sërë ekzekutimesh politike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›