E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektoriati Ndërtimor rikthehet ne Hamallaj

DURRES- Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar ndërmori sot në mëngjes një aksion për prishjen e 12 objekteve të paligjshme në Hamallaj. Aksioni zgjati rreth 2 orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident ndërmjet përfaqësuesëve ligjorë dhe pronarëve të lokaleve. 12 objektet e prishura gjatë ditës së sotme kanë qenë lokale, ambulantë dhe kashtore të ndërtuara pa leje gjatë fushatës elektorale.

Ndërtimet pa leje të ngritura gjatë ditëve të fundit nisin nga Bishti i Pallës deri në Gjirin e Lalësit. Vec lokaleve pa leje, një pjesë e mirë e vijës bregdetare paraqitet e ndotur nga mbeturinat inerte të akumuluara gjatë dimrit. Por komunat që e kanë në juridiksion këtë pjesë të bregdetit e kanë të pamundur ndërhyrjen për shkak se ende nuk janë konstituar.

Një aksion i policisë ndërtimore, i ndërmarrë në korrik të vitit të kaluar, për prishjen e ndërtimeve pa leje në Hamallaj  përfundoi me përplasje të forta fizike mes policisë dhe banorëve të zonës. Në përplasjen e dhunshme u plagosën 4 policë si dhe u arrestuan disa protestues.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›