E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden në Greqi 3 të rinjtë e zhdukur, ishin nisur si klandestinë

LIBRAZHD-TIRANE-Gjenden tre të rinjtë nga Librazhdi që rezultonin të zhdukur pas nisjes së tyre për në Greqi. Tre të rinjtë nga fshati Xhyrë i Librazhdit Genci Nogu, Petrit Cepi dhe 17 vjecari Shkelqim Xhepi u nisën dje nga Librazhdi për në Greqi si klandestinë. Denoncimi për zhdukjen u bë sot në mëngjes nga familjarët e tyre në TVNews24, të cilët të frikësuar thanë se djemtë mund të kishin pësuar dicka të keqe. Por, nga një telefonatë nga Kastoria e Greqisë, të rinjtë pohuan sot në mesditë per familjaret se ndodhen shëndoshë e mirë në tokën greke. Mësohet se ata ishin vonuar rrugës për shkak të motit të keq, ndërsa janë gjetur shëndosh e mirë nga shqiptarë të tjerë që jetojnë në Kastoria. Ata u vune ne kerkim pas publikimit te lajmit ne TVNews24 se 3 te rinjte kishin humbur rruges per ne Greqi.
Zhdukja
Alarmi u dha sot në mëngjes nga të afërmit e tyre, të cilët dyshonin se djemtë e tyre ishin bllokuar për shkak të motit të keq në mal.
Tre të rinjtë nga fshati Xhyrë i Librazhdit Genci Nogu, Petrit Cepi dhe 17 vjecari me inicialet Sh.Xh u nisën dje nga Librazhdi për në Greqi si klandestinë. Pohimi vjen nga vetë nëna e Gensi Nogut që bëri të ditur direkt sot në mëngjes për TvNews24 se djali i saj do të kalonte ilegalisht kufirin përmes Kapshticës. “U nisën dje nga ora 04:00 dhe kontakti i fundit që moëm me telefon ka qënë sot rreth orës 07:00 në mëngjes”, tha nëna e Gencit nëpërmjet një lidhje telefonike me TVNews24.
Dhe alarmi për zhdukjen e tyre u bë pikërisht në bisedën e fundit që patën nënë e bir. “Djali foli me të motrën dhe i tha “Po na mbyt uji””, tregon nëna e cila pohon se më pas lidhja telefonike është ndërprerë. Sipas të dhënave mësohet se të rinjtë ndodheshin në mal në momentin që kanë folur në telefon.
Familjarët bëjnë të ditur se kushtet e këqia ekonomike detyruan të rinjtë të merrnin rrugën e emigrimit. “Djali do shkonte në Kastoria të Greqisë, aty ka të jatin që punon. Bashkë më 2 shokët e tij morën rrugën drejt Greqisë. Këtu nuk kishin punë”, bëri të ditur nëna e Genci Nogut. Ajo shton se ka folur në telefon dhe me bashkëshortin, i cili prej Kastorias i kishte thënë se djali deri sot në mëngjes nuk kishte mbërritur në destinacion.

Të rinjtë kaluan si klandestinë nga Kapshtica
Tre të rinjtë kaluan kufirin shqiptaro-grek nëpërmjet Kapshticës në mënyrë klandestinë, fakt ky që dëshmon se kalimi ilegal është prezent në vendin tonë. Në fillim të rinjtë u kujtuan të humbur dhe të pyetur rreth tyre, burime nga policia kufitare e Kapshtices bënë të ditur në mëngjes se nuk kane asnje njoftim për tre të rinjtë nga fshati Xhyrë i Librazhdit. Zona përreth Librazhdit konsiderohet si një zonë e varfër ku të rinjtë në mungesë të vendeve të punës zgjedhin emigracionin. Procedurat pa fund në ambasadat e huaja kanë detyruar shumë të rinj shqiptare që për arsye ekonomike të zgjedhin rrugën klandestine drejt emigracionit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›