Gjenden në pyll 2500 litra pije
Një sasi prej rreth 2500 litrash pije alkoolike dhe freskuese janë gjetur të hedhura në pyllin Sodës, në periferi të qytetit të Vlorës. Sasia e pijeve që janë kryesisht birra dhe pije freskuese të gazuara u gjetën nga rojet e pyllit, të cilët njoftuan menjëherë Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe bashkinë. Kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Bashkinë e Vlorës, Eriton Kollozi, tha se një pjesë e pijeve janë brenda afatit të skadencës. Ai tha se një version i parë i shkakut të hedhjes së tyre në pyll mund të jetë një defekt në procesin e prodhimit të tyre. Nga ana tjetër, inspektori i Higjienës pranë DSHP-së, Hasan Cufaj, tha se pijet do t‘u nënshtrohen analizave, ndërsa do të kontrollohen të gjitha subjektet që prodhojnë apo tregtojnë pije të këtyre markave, për të arritur te personat që kanë kryer hedhjen e tyre në këtë vend. Sipas drejtuesve të Higjienës dhe Shëndetësisë në Vlorë, problemi më i madh në këtë rast është marrja e këtyre pijeve nga persona të ndryshëm, për t‘i shitur.