Vdekje tjetër në stoqet e kromit
Një tjetër mbledhës kromi ka gjetur vdekjen dje në stoqet me mineral të varfër, në ambientet e jashtme të minierës së Bulqizës. Policia e Bulqizës njoftoi dje për vdekjen aksidentale të një 53-vjeçari, i cili punonte për llogari të një firme private në mbledhjen e mineralit të kromit nga stoqet e minierës. Xhevat Bulqiza, baba i katër fëmijëve, mësohet se ka gjetur vdekjen i shtypur nga gurët, kur në stokun e kromit ka pasur një rrëshqitje. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, punëtori 53-vjeçar ka vdekur pasdite, kur po largohej nga vendi i punës. Ai ka qenë duke ecur nëpër një rrugë të krijuar nga vetë punëtorët në kodrën prej minerali të varfër, kur një masiv gurësh që kanë rrëshqitur nga sipërfaqja e kodrës e kanë mbuluar tërësisht, duke i shkaktuar fraktura të shumta dhe asfiksi. Në ndihmë të 53-vjeçarit kanë shkuar punëtorë të tjerë, por plagët kanë qenë shumë të rënda dhe Xhevat Bulqiza ka arritur pa frymë në spitalin e qytetit. Ky rast e çon në 13 numrin e vdekjeve brenda një viti.