Gjenden një vajzë dhe një djalë "të humbur"
Gjenden dy persona, një vajzë dhe një djalë, të cilët ishin larguar nga banesa që prej disa javësh. Djali i shpallur në kërkim kishte pothuajse dy muaj që nuk shkonte në banesë, ndërsa vajza e re, tri javë. Burimet policore bënë të ditur se ata janë gjetur të dy nga Komisariati Nr. 3 dhe sipas të dhënave u janë dorëzuar familjarëve të tyre. Burimet policore shpjeguan se në lidhje me informacionin për largimin nga banesa të Ledio Besim Plaganicës, dy ditë më parë, rreth orës 08.00 të mëngjesit, u gjet në një lokal dhe ka deklaruar se është larguar nga banesa me dëshirën e tij. Ai ka shpjeguar edhe motivet e largimit dhe përse nuk kishte njoftuar njeri. Nga ana tjetër, është gjetur edhe Blerta. I. Policia tha për largimin nga banesa të kësaj shtetaseje, se ajo u gjet në Tiranë dhe ka deklaruar se është larguar nga banesa pas një grindjeje me prindërit e saj. Policia e ka marrë në pyetje atë edhe në lidhje me konfliktin dhe pasi janë sqaruar rrethanat, ajo është kthyer në banesën e saj. Gjithashtu, asaj i është ofruar mbrojtje nga seksionet përkatëse të policisë, por ka pranuar të kthehet pranë familjes.