Tenton vetëvrasjen dhe plagos dy oficerë policie
Sedra e sëmurë ka bërë që një 23-vjeçar të alarmojë policinë për katër orë rresht, pasi donte të vetëvritej, duke u hedhur nga një pallat. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë, kur i riu, Luis Rr. kishte vendosur t‘i jepte fund jetës, duke plagosur lehtë edhe dy policë që kanë ndërhyrë për ta shpëtuar. Oficerët e policisë së kryeqytetit, që në orët e para të mëngjesit i shpëtuan jetën një të riu nga Tirana, që kërcënonte të vetëvritej, duke u hedhur nga kati i gjashtë i një pallati. Policia ishte njoftuar nga banorët e ndërtesës që ndodhet pranë tregut elektrik, se një i ri me thikë në dorë po tentonte vetëvrasjen. Lajmërimi është bërë rreth orës 22.00 të mbrëmjes së të enjtes dhe forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. I riu ka qëndruar për katër orë në një nga ballkonet, duke kërcënuar se do të hidhej. Pas shumë orë negocimesh, dy oficerë policie kanë mundur t‘i afrohen dhe rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm duke mundur ta ndalojnë. Gjatë kësaj tentative, oficerët e policisë janë goditur me thikë nga i riu, që tentonte vetëvrasjen. Më pas, policia e ka shoqëruar atë në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Sipas dëshmitarëve, i riu shfaqte një gjendje psikologjike shumë të rënduar gjatë gjithë kohës, pavarësisht se më parë nuk kishte pasur asnjë shqetësime mendor. Arsyet e kësaj tentative për vetëvrasje po hetohen, ndërsa policia e ndaloi të riun, identiteti i të cilit është Luis Rr. Ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje në lidhje me këtë akt të ndërmarrë prej tij dhe veçanërisht për shkaqet që e detyruan të tentonte vetëflijim. Sipas informacioneve paraprake të grupit të punës, ai është shprehur se kishte pasur një debat me nënën e tij. Madje, policia u shpreh se ai ishte shumë i kulturuar dhe kishte lexuar jashtë mase. Madje, gjatë kohës së tentativës kërkonte që të dilte nëna e tij ta shikonte, pasi donte t‘ia linte peng për gjithë jetën si hakmarrje atë që po bënte. Megjithatë, policia ka mundur ta neutralizojë, duke shpëtuar kështu jetën e tij, por edhe duke rrezikuar të tyren.