E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet "njeriu hije" i dyshuar për më shumë se katër vrasje

"I harruar" nga drejtësia, pa asnjë fotografi që kur ka qenë adoleshent, ai ka mundur të jetojë i lirë dhe në mes të Tiranës për 11 vjet, pavarësisht se në shpatulla i rëndojnë dënimet për dy vrasje dhe një grabitje. Ai dyshohet edhe për dy vrasje të tjera dhe një sërë grabitjesh. Njihet si një nga anëtarët e vjetër të Bandës së Yzberishtit. Flamur Hida, që shumë vetë e njohin me emrin Lenci, është arrestuar nga operacionet speciale, teksa qëndronte i fshehur në banesën e vëllait të tij. Në banesë i janë kapur një arsenal me armë, e policia dyshon se qëkur është shpallur në kërkim ka bërë punën e vrasësit me pagesë. Ai është një ndër njerëzit më të kërkuar të policisë së kryeqytetit, e që tashmë, shumë dosje do të rihapen për të rënduar mbi të.

Arrestimi
Policia e Tiranës deklaroi dje zyrtarisht se si rezultat i një pune disamujore, të kryer nga strukturat e hetimit të krimit, falë zhvillimit të një operacioni të koduar "I harruari", u mundësua kapja në flagrancë e shtetasit shumë të kërkuar Flamur Xhemal Hida, 29 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i njohur ndryshme me pseudonimin Lenci. Ky person ishte i shpallur në kërkim në qysh në vitin 1998, dhe qëndronte i fshehur në kryeqytet dhe në rrethinat e saj, duke vështirësuar kështu kapjen e tij. Ai përdorte identitet të rremë, duke përfituar nga fakti se nga ana e policisë nuk posedohej asnjë prej fotografive në moshën aktuale. Fotoja e tij e vetme e gjetur, ishte bërë qëkur ka qenë i mitur, dhe është shpallur në kërkim për herë të parë. I kërkuari Flamur Hida, në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 13 tetor 1998, e ka dënuar këtë person me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale të "vjedhjes me armë me pasojë vdekjen, si dhe të "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Ai në bashkëpunim me Nazmi Avdillarin janë autorë të vjedhjes me pasojë vdekjen të biznesmenit italian, Stefano Rossi, ku bashkëpunëtori i tij në këtë vrasje, Avdillari, aktualisht ndodhet i dënuar më burgim të përjetshëm.
Po ashtu, Flamur Hida është dënuar me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, me 20 vjet burgim, për veprat penale të "vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim" ndaj biznesmenëve Bedri dhe Agim Ago. Gjithashtu, me vendimin e datës 18 korrik 2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ky person është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale "plagosjes me dashje" dhe të "Armëmbajtje pa leje" ndaj shtetasit Aqif Lami. Policia detajoi për arrestimin e tij se përgjatë momenteve të ndërhyrjes së forcave të policisë, ndodhej i fshehur në një banesë në rrugën "Komuna e Parisit" në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar është kapur në flagrancë së bashku me të vëllain e tij, Fatmir Hida, të cilëve i gjetën një sasi të konsiderueshme armatimi dhe municionesh luftarake. Mes armatimit, policia ka gjetur edhe dy silenciatorë, që dyshohen se janë përdorur për krime të ndryshme, bashkë me pistoletat e sekuestruara. Policia tha se vëllai i shumë të kërkuarit, u arrestua për mbajtjen e municioneve luftarake.

Akuzat
Ndërkaq, uniformat blu vunë në dukje se personi në kërkim, Flamur Hida, dyshohet dhe për kryerjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në Tiranë, përgjatë viteve 1998-2009. Sipas policisë, gjithë ngjarjet e dyshuara që janë shkaktuar prej tij kanë ndodhur në zonën e Kombinatit. Për dy vrasjet, policia shpjegoi se ka të bëjë me ekzekutimin e Ilir Mezirit dhe Altin Hoxhës. Por, policia tha se do hetojë më tej për këto ngjarje dhe një sërë grabitjesh me armë. Gjithashtu, dyshohet se ai kryente vrasje me pagesë dhe armët e kapura janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës. Mendohet se ato do të rezultojnë armët e disa krimeve. Megjithatë, materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimeve të dënimit të gjykatës për personin në kërkim Flamur Hida, si dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre për veprat penale të "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municionit luftarak" dhe "falsifikimit të akteve të gjendjes civile".

Sekuestrimet
Një armë zjarri automatike tip "Skorpions"
Një pistoletë model 54, me një krehër me 7 fishekë
Dy silenciatorë
Një pistoletë "BELGIUM", me një krehër me 11 fishekë
Një pistoletë "BERETA", me një krehër me 4 fishekë
Një pistoletë elektrike, paralizues
Dy krehër pistolete me 8 fishekë
106 fishekë pistolete, të kalibrave të ndryshëm
Një kallëp tritoli, së bashku me kapsollën elektrike
Një certifikate personale e falsifikuar

Dyshimet edhe për dy vrasje

Ilir Meziri

Si u vra me plumb
në kokë 40-vjeçari

Një 40-vjeçar është vrarë me një plumb në kokë në zonën e Kombinatit në Tiranë, pikërisht më 26 tetor të vitit të shkuar. Policia që mbërriti në vendngjarje, pas momentit të krimit, bëri të ditur se ngjarja kishte ndodhur për larje hesapesh nga trafiku i drogës. Kështu, nga plumbat ka mbetur i vdekur Ilir Meziri, i cili në momentin e ngjarjes po pinte kafe i vetëm në një lokal në lagjen "Qelqi" në zonën e Kombinatit. Persona ende të paidentifikuar e kanë qëlluar atë me një pistoletë nëntë milimetër. Meziri ishte shoqëruar disa herë në polici i dyshuar për vrasje, por për shkak të mungesës së provave ai ishte lënë i lirë. Ndërkaq, dje policia tha se i arrestuari i pardjeshëm, Flamur Hida dyshohet për këtë krim, pavarësisht se më parë si autorë, janë përmendur edhe emra të tjerë. Agjentët e policisë dyshojnë se 40-vjeçari merrej edhe me shpërndarje droge në Kombinat.

Altin Hoxha

Si u vra me thikë
në qafë 35-vjeçari

Në orët e para të mëngjesit të datës 7 maj 2008, pranë mbikalimit në Kashar, është zbuluar nga kalimtarët një person i vdekur. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur atëherë se, i vdekuri është 35-vjeçari Altin Hoxha, i dyshuar si person me precedent penal. Nga ana e grupit të punës për vdekjen e tij është hetuar në dy pista, atë të aksidentit dhe të vrasjes me dashje. Por, pak kohë më vonë, u vërtetua se ishte një vrasje me thikë, ku autori e kishte goditur në qafë. Babai i dy fëmijëve, 35-vjeçari i gjetur i pajetë, sipas policisë dyshohet se është vrarë nga dora e Hidës, pavarësisht se ende nuk ka prova të sigurta për këtë ngjarje. Madje, policia ka shoqëruar edhe persona të tjerë, madje ka pasur edhe të arrestuar për këtë krim, por duke qenë se Hida dyshohet për vrasje me pagesë, mendohet se edhe në këtë krim, është dora e tij. Por sipas policisë, për të zbardhur këto krime, do duhet më shumë kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›