Aksidentet, plagosen rëndë dy kalimtarë
Aksidentet rrugore kanë shkaktuar dy të plagosur rëndë gjatë ditës së djeshme në kryeqytet, ndërkohë që një prej autorëve është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij. Burimet policore të qarkullimit rrugor bënë të ditur se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gani Qemal Çupi, 31 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 08.30 të mëngjesit, në bulevardin "Zogu i Parë", duke drejtuar mjetin "Volkswagen", me targë TR 5925 N, ka aksidentuar Mynyr Rapkën, 70 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, aksidenti i dytë është shënuar në mbrëmje. Sipas të dhënave policore, rreth orës 20.45, në rrugën "Myslym Keta", një mjet i paidentifikuar, ka aksidentuar këmbësoren Xhemile Maliq Kamberaj, 70 vjeçe, banuese në Tiranë. Ajo është gjetur nga kalimtarët, të cilët e kanë dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Nga ana tjetër, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka fiksuar gjurmët e gjetura aty. Menjëherë ka nisur puna për identifikim dhe kapjen e autorit, i cili është larguar me shpejtësi, duke përdorur edhe trafikun e lirë që ishte në atë orë.