E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden predha artilerie pranë depozitave në port

Durrës

Predha artilerie janë gjetur në kalatën lindore të Portit Detar të Durrësit mes një grumbulli hekurishtesh që do të eksportoheshin si skrap. Në sasinë e grumbulluar të skrapit të hekurit për eksport janë konstatuar dhe disa predha artilerie të pademontuara. Prania e tyre ka shkaktuar alarm në pjesën lindore të Portit të Durrësit ku ndodhen edhe depozitat me karburant dhe çdo objekt me rrezik mund të shkaktojë një shpërthim të fuqishëm. Kanë qenë punëtorët e sistemimit në kalatën portuale ata që kanë vënë re predhat dhe kanë njoftuar forcat e sigurisë portuale dhe ato të komisariatit të policisë së portit. Ato janë konstatuar paraditen e së dielës në kalatën lindore të përpunimit dhe pikërisht në një nga vendet e grumbullimit të hekurit për skrap. Nga numërimi kanë rezultuar të jenë 12 copë predha artilerie të pademontuara, po pa djegore. Policia e Durrësit ka bërë njoftimin e Njësisë Antieksploziv, si dhe ka mbajtur nën ruajtje predhat dhe të gjithë territorin përreth deri në mbërritjen e specialistëve. Nga ora 11:15-15:55, raportohet se në bashkëpunim me specialistët e kësaj njësie, u morën masa për transportimin dhe çaktivizimin e predhave. Procesi u krye pa probleme, ndërkohë që mendohet se predhat janë gjetur nëpër bunkerë po nuk dihet se nga cila zonë e vendit janë mbledhur. Po hetohet për të zbardhur këtë përmes kompanisë së grumbullimit të skrapit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›