E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik, nën vëzhgim gjithë personat me precedentë

Plani Masa të ashpra parashikohen edhe për shkelësit e rregullave rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve

Si çdo vit, edhe sivjet policia ka përgatitur masat për sezonin turistik, duke shtuar shërbimet që nga policia rrugore për parandalimin e aksidenteve, në pikat kufitare për pritjen e emigrantëve, por ka shtuar edhe shërbimet e hetimit të krimit për të zbuluar dhe parandaluar çdo vepër penale. Bashkë me policinë, shërbimet i ka shtuar gjithashtu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, kështu që veç qytetarëve, edhe policët do të jenë nën kontroll të rreptë për respektimin e rregullave përgjatë gjithë sezonit turistik. Fakti bëhet i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila ka paralajmëruar për masa të ashpra ndaj policëve, të cilët tolerojnë që nga shkeljet e qarkullimit, sado të vogla qofshin ato, e deri te shkeljet e tjera, apo përfshirjen e tyre në kundërvajtje penale. E gjitha kjo ka ardhur pas mbledhjes së një grupi pune, të cilët kërkojnë që gjatë këtij sezoni turistik të shënohen sa më pak vepra penale dhe sa më pak viktima. Kështu, një nga pikat e miratuara në këtë mbledhje, që u hodh për diskutim nga të pranishmit, ishin masat e rrepta ndëshkuese ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Masa të tjera policore i përkisnin shtimit të shërbimeve të uniformave blu në çdo aks rrugor, apo vende problematike për burime aksidentesh. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se drejtori i përgjithshëm ka nxjerrë një urdhër për rritjen e masave, me qëllim mbarëvajtjen e pushimeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Sipas të dhënave, ky urdhër parashikon edhe survejimin e personave me precedentë penalë. “Meqë nuk përjashtohen incidentet në zonat turistike të Shqipërisë, nga aksidentet, te vjedhjet apo te krimet e tjera, shërbimet e policisë kriminale duhet të mbajnë nën vëzhgim gjithë personat me precedent penal”, deklarohet në urdhrin e lëshuar. Më tej, kërkohet që në kategorinë e këtyre personave të hyjnë edhe ata që nuk janë dënuar apo arrestuar më parë për vepra të ndryshme penale, por edhe ata që janë shoqëruar qoftë edhe një herë të vetme nëpër komisariatet e policisë. Ndërsa për terrenin e zbatimit të këtij urdhri, burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaruan se do të përfshihen të gjitha zonat turistike, duke filluar që në Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Vlorë dhe Sarandë. Madje, në lidhje me këtë urdhër, burimet policore nga këto qytete thanë se që dje kanë nisur të listojnë personat e lartpërmendur dhe këto ditë do të fillojë edhe ndarja e detyrave për agjentët e policisë kriminale. Ndërkohë, detyra janë dhënë edhe për policinë e kufirit për parandalimin e trafiqeve. Gjithashtu, një sërë masash janë marrë edhe për shtetasit e huaj, të cilët mendojnë t’i kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Veç tyre, policia pritet të afishojë numrat e saj në çdo zonë, ku do të qëndrojnë pushuesit gjatë sezonit turistik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›