Vlorë, atentat mafioz mësuesit të fizkulturës
Një mësues fizkulture 27-vjeçar është plagosur rëndë në një atentat në orët e vona të së dielës në qytetin e Vlorës. Klodian Haxhiraj është qëlluar me breshëri automatiku dhe shtatë plumba kanë prekur trupin e tij. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, por ende ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para mesnatës së të dielës në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës. Ka qenë ora 23:45 kur 27-vjeçari kthehej për në shtëpi me automjetin e tij tip “Mercedes Benz”, me targa VL7762C. Shumë pranë banesës, atij i është afruar një automjet “Mercedez Benz” me targa gjermane. Në momentin që Klodiani ka hapur krahun dhe ka ulur shpejtësinë për të lejuar automjetin tjetër të parakalonte, nga dritarja e këtij mjeti është derdhur një breshëri plumbash. Njëzet plumba kanë përshkuar anën e djathtë të makinës së Klodianit dhe shtatë prej tyre kanë përfunduar në trupin e 27-vjeçarit. Makina e atentatorëve është larguar me shpejtësi dhe kanë qenë banorët e lagjes që e kanë çuar 27-vjeçarin në spitalin rajonal të Vlorës. Sapo ka mbërritur në urgjencë, i riu i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas mjekëve të spitalit të Vlorës gjendja e 27-vjeçarit është shumë e rëndë. Ai ka shtatë plagë serioze në trup. Arma e zjarrit i ka shkaktuar dy vrima në mushkri ku është operuar, ndërkohë që ka pësuar dëmtime të shpretkës dhe të disa arterieve kryesore të gjakut. I riu ka rënë në gjendje kome dhe sipas mjekëve, gjendja e tij është kritike. Ndërkaq, policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur mbledhjen e provave materiale. Pas 15 minutash kërkime, uniformat blu kanë mundur të gjejnë automjetin nga ku është qëlluar mbi 27-vjeçarin. Makina ishte djegur në një rrugicë të lagjes “10 Korriku” dhe brenda saj është gjetur arma e krimit, tip kallashnikov. Policia ka patrulluar gjithë natën në lagjet e Vlorës për kapjen e autorëve, por pa rezultat. 27-vjeçari njihej si person pa probleme. Ai ishte mësues fizkulture në një shkollë private të mesme të Vlorës. Mësohet se policia po heton në disa pista, të cilat kanë të bëjnë me jetën e të riut, por pa u përqendruar në dyshime konkrete.
#