E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Elbasan, hasmëri dhe tradhti bashkëshortore

Bashkëfshatarët e dy grave flasin për një lidhje jashtëmartesore që rindezi konfliktin

Hakmarrja mbetet versioni zyrtar i policisë së Elbasanit për ngjarjen e së dielës në Belsh. Por ndërsa dyshohet se krimi ndodhi për të marrë hakun e babait të vrarë 13 vjet më parë, banorë të zonës pohojnë nën zë se ndoshta pas krimit mund të fshihet hakmarrja për një tradhti bashkëshortore. Ata flasin për një lidhje jashtëmartesore mes viktimës dhe bashkëshortit të vrasëses, i cili një javë më parë është ndaluar për armëmbajtje pa leje.

Historia

Historia e hasmërisë mes familjeve Hysa dhe Xibraku, që banonin pranë njëra-tjetrës ka nisur në fund të vitit 1997 kur Nervil Xibraku vrau me armë zjarri të atin e Antoneta Hysës. Xibraku u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie, dënim të cilin po e vuan në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Familjet kanë pasur disa herë përplasje me njëra-tjetrën, por ndërhyrja e policisë bëri që sherret të shuheshin për disa kohë. Nga burime konfidenciale mësohet se prej kohësh autorja e krimit dhe viktima grindeshin dhe madje ishin përplasur fizikisht me njëra-tjetrën. Shkaku i konfliktit, sipas të njëjtave burimeve jozyrtare, mësohet të ketë qenë një flirt mes viktimës Esma Xibraku dhe bashkëshortit të Antoneta Hysës.

Banorët e fshatit tregojnë se pasditen e së dielës, Esma dhe Aishe Xibraku kanë shkuar në shtëpinë e Antoneta Hysës. E zonja e shtëpisë pasi ka debatuar me fjalë me dy gratë i ka qëlluar ato me levë dhe më pas ka rendur për t’u fshehur në ullishtën e fshatit. Policia ka gjetur pa jetë Esma Xibrakun, të cilën e ka nisur drejt morgut të spitalit të Elbasanit, ndërkohë që me një ambulancë të qendrës shëndetësore të Cërrikut është dërguar për në spital vjehrra e viktimës. Policia ka nisur në këtë kohë këqyrjen e vendit të ngjarjes në përpjekje për zbardhjen e plotë të saj. Sipas policisë autorja, që u ndalua pak orë pas krimit ka pranuar me gjakftohtësi vrasjen. Ndërkohë, dy fëmijët e saj njëri 8 vjeç dhe tjetri 6, janë marrë në mbrojtje nga policia duke u shoqëruar pak orë pas ngjarjes. Ndërsa djali më i madh i saj, 14 vjeç, është shoqëruar në polici për disa orë për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në banesën e Hysës janë gjetur dy pistoleta dhe djali është marr në pyetje. Rreth një javë më parë, bashkëshorti i vrasëses, Besim Hysa, u ndalua nga policia pasi i’u gjet një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh.

Pas ngjarjes

Në shtëpitë e viktimës dhe vrasës ka pllakosur heshtja. Tre fëmijët e autores së ngjarjes, Antoneta Hysa janë marrë në mbrojtje nga policia për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme, ndërsa më i madhi është shoqëruar për pak orë në komisariat për armëmbajtje pa leje. Më pas ai ka shkuar pranë vëllezërve të tij, në një qendër rehabilitimi, vendndodhja e së cilës mbahet sekret. Ndërkohë po dje kanë mbërritur në fshat edhe fëmijët e viktimës. Vajza e madhe e Esmasë, e martuar në fshat aty afër dhe djali 18-vjeçar që ishte emigrant në Greqi. Askush nuk pranon të flasë për atë çfarë ka ndodhur dy ditë më parë. Ndërkaq, policia nuk e ka shkëputur për asnjë çast shërbimin 24 orësh në të dyja familjet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›