Basha: Stina e verës, si të mbrohemi nga zjarri
Afrimi i stinës së nxehtë të verës nuk ka bërë që vetëm policia të marrë masat për sezonin turistik, por edhe institucione të tjera. Një ndër problemet shqetësuese për qeverinë shqiptare mbeten edhe zjarret, pasi pritet një stinë e nxehtë. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ftoi dje të gjitha strukturat që menaxhojnë situatat e zjarreve në vend që të koordinojnë masat dhe të kryejnë përgatitjet e nevojshme për të përballuar këto situata të mundshme gjatë stinës së verës. Ministri Basha ua drejtoi këtë ftesë përfaqësuesve të të gjitha niveleve të pushtetit vendor, strukturave të emergjencave civile, si dhe strukturave të shërbimit pyjor dhe të mbrojtjes së mjedisit në Konferencën Kombëtare për Mbrojtjen e Pyjeve dhe Kullotave nga Zjarret, bashkorganizuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Brendshme. Basha theksoi në fjalën e tij rëndësinë e marrjes së masave dhe rritjes së vigjilencës për të shmangur rreziqet nga zjarret gjatë stinës së verës, duke pasur parasysh se gjatë këtij viti jemi përballur me ndryshime temperaturash nga 6-10 gradë në periudha kohore vetëm disa ditore. Ai përmendi, ndër të tjera, detyrat e përcaktuara për prefektët e qarqeve, për të dhënë udhëzimet për rivlerësimin e rrezikut të zjarreve në territorin e tyre, rifreskimin e planeve të emergjencave, si dhe marrjen e masave përgatitore për të përballuar një verë eventualisht të nxehtë, e po kështu u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore dhe strukturave përkatëse të intensifikojnë punën përgatitore dhe të bashkëpunojnë me prefektët e qarqeve, drejtoritë e policisë, strukturat e emergjencave, të zjarrfikëseve dhe të shërbimit pyjor. Në këto kushte, ai theksoi se shumë të rëndësishme mbeten angazhimi i Institutit të Energjisë, zhvillimi i një fushate ndërgjegjësuese, ngritja në nivel qarku i pikave të kontaktit dhe verifikimi i gatishmërisë profesionale, si dhe orientimi i sektorit privat dhe publik në drejtim të financimit për mbrojtjen nga zjarret.
#