E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg oficeri i Policisë Gjyqësore

Fier

Prokuroria e Fierit ka shërbyer si mburojë për oficerin e Policisë Gjyqësore, Vasil Ristani, i cili ka hyrë e ka dalë pa u vënë re në Gjykatën e Rrethit, ku u zhvillua seanca e vlerësimit të masës së arrestit. Pikërisht organi që ngriti akuzën ndaj Ristanit e mbrojti atë nga mediat e interesuara për çështjen. Seanca ishte njoftuar të mbahej dje, në orën 12:30, në sallën numër 3 të Gjykatës së Fierit. Por ndërsa sekretarja e gjyqtares së çështjes orientonte gazetarët në sallën nr.3 në katin e parë, në katin e dytë kishte nisur seanca në ngarkim të Vasil Ristanit. Pas kërkesës së medias për prezencë në gjyq, u komunikua se seanca po zhvillohej me dyer të mbyllura. Por dyert u mbyllën vetëm për mediat, jo për kolegët e OPGJ-së së prangosur. Gjatë seancës, gjysmë të mbyllur, u mor vendimi që Vasil Ristani të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve ndaj tij. Gjyqtarja Adelina Zarka pranoi kërkesën për burg pa afat të prokurorit Artur Caka, i cili përfaqëson edhe autoritetin e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Fierit. Ndërkohë që mbrojtja e Vasil Ristanit e përbërë nga avokatët Vladimir Cjapi dhe Rozeta Plaku ka kërkuar një masë më të lehtë, atë të arrestit në shtëpi. I pandehuri nuk ka bërë asnjë deklaratë në sallën e gjyqit. Vasil Ristani u arrestua të premten, pasi dyshohet se manipuloi dosjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2004.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›