Gjenden sendet e vjedhura, arrestohet daja i hajdutit
Durrës
Një grup hajdutësh, i cili vepronte në qytetin bregdetar të Durrësit, është zbuluar nga policia ndërsa administratorët e dyqaneve të vjedhura kanë nxituar të shohin mallin e tyre dhe ta ndajnë mbi bazën e përkatësisë, deri në marrjen e vendimit të prokurorisë për ta kthyer atje ku u mor. Operacioni i koduar “Butiku” ka zbardhur vjedhjen e dyqaneve të njohura të veshjeve dhe Kishës Ortodokse në qytetin bregdetar. Malli i vjedhur është gjetur në një apartament në lagjen 1 të Durrësit dhe është llogaritur se kap vlerën e 20 mijë eurove. Ndërkohë rezultat i operacionit është ndalimi i një 57-vjeçari me arsim të lartë nga Durrësi, Vasil T., ndërsa në kërkim është shpallur nipi i tij 24- vjeçar Harallamb Ndoni. Burime zyrtare të policisë njoftuan se ndalimi i 57-vjeçarit është argumentuar me dyshimin që ka policia se daja i autorit kryesor të vjedhjeve ka përvetësuar një sasi sendesh të vjedhura në lokalin “Jona”, në lagjen 6 të Durrësit nga nipi i tij Harallamb Ndoni, duke i fshehur ato në një ambient tjetër. Ndaj 57-vjeçarit, policia ka ngritur akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Ndërkaq në mungesë ka nisur hetimi për Ndonin, banor i lagjes 1, pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë vjedhur disa lokale e butikë në qytetin e Durrësit.
#