Greva në Greqi mbyll pikat kufitare me Shqipërinë
Bllokimi
Grevistët grekë bëhen shkak për bllokimin e kufijve dhe të lëvizjeve ndërkombëtare. Greva e fermerëve në rrugët e Greqisë ka paralizuar punën në pikat e kalimit kufitar me shtetin fqinj. Autoritetet vendase doganore dhe të policisë kufitare janë njoftuar për një bllokim të punës në kufi, si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale nga protestat masive të fermerëve që kërkojnë në shtetin fqinj plotësimin e kërkesave të tyre. Kjo situatë ka bërë që akset rrugore të jenë të bllokuara për disa orë dhe për pasojë as në pikat kufitare, pala greke nuk ka kryer asnjë veprim për të mos rënduar më tej trafikun në territorin vendas nga shtimi i mjeteve që tentojnë lëvizjet ndërkufitare në të dyja drejtimet. Procedurat nuk kanë nisur për të paktën tre orë, kohë në të cilën nuk është kryer asnjë veprim për regjistrimin e shtetasve në kufi, në hyrje ose në dalje të vendit. Sipas të dhënave nga vendkalimi kufitar i Kapshticës, puna nga ana e palës greke me procedurat në kufi është bllokuar për të paktën dy orë, nga ora 11:00-13.00 të ditës së shtunë. Burimet e policisë kufitare thonë se është bërë një njoftim paraprak për ndërprerjen e përkohshme të procedurave, megjithatë bllokimi i punës ka krijuar radhë.
#