E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi me bazë fetare, i parakohshëm

Forum/ Flasin: Sabit Brokaj, Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Milva Ikonomi dhe Ilir Hoxholli
Vazhdon të ngjallë debate të shumta, nisma e fundit e qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë në bazë etnie dhe feje. Debati i nisur nga gazeta “Shqip” ka shkaktuar diskutime në radhët e shumë pjesëve të ndryshme të shoqërisë, të cilët shprehin opinionet e tyre në lidhje me këtë zhvillim. Në numrin e sotëm të “Shqip”, shprehen politikanët: Sabit Brokaj, Shpëtim Idrizi, Paskal Milo, Tahir Muhedini, ekspertja e statistikave, Milva Ikonomi, si dhe anëtari i Këshillit Drejtues të Komunitetit Mysliman, Ilir Hoxholli...
Sabit Brokaj
Në realitetin e sotëm, ky është një veprim antikombëtar dhe jo i kohës. është antikombëtar për arsye se bëhet nën presionin e qarqeve antishqiptare të politikës greke. Këto qarqe e kanë kërkuar këtë shumë dekada më parë, por nisja e konkretizimit ka filluar pas vitit 1992. Kjo është bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe gjeti momentin kur politika shqiptare ka rënë në gjunjë para këtyre qarqeve. Dihet që realiteti shqiptar nuk është aq i lidhur me fenë, por më shumë me interesat e jetës, ndaj e bën të lehtë kalimin në besimet e tjera fetare, veçanërisht në atë ortodokse, kam parasysh shumicën e atyre shqiptarëve që janë në Greqi që tashmë e kanë lloj jetese, por dhe disa shqiptarëve që janë brenda territorit të republikës. Nuk është veprim bashkëkohor, pasi dihet që në pasaportën e qytetarisë europiane nuk shkruhen më këto të dhëna, madje mesa di unë ka qenë kërkesa e BE-së që në pasaportën greke të mos figurojë më përkatësia fetare. Ndërsa ne kthehemi në kërkesat e politikës vorioepiriote greke dhe këto që them unë janë të qarta dhe të dokumentuara. Pikërisht realizimi i këtyre synimeve e bën për mendimin tim politikën shqiptare aktuale një shërbyese të padenjë të interesave të të tjerëve. Ka mijëra shqiptarë që kanë ndërruar fenë për nevoja buke, si në Greqi, por edhe brenda Shqipërisë. Nisur nga fakti që shqiptarët, sidomos ata të origjinës myslimane nuk e kanë shumë të lidhur jetën e tyre me fenë, grekët e dinë shumë mirë që mjaft myslimanë si unë mund të deklarohen laikë apo ateistë. Ndërsa mjaft emigrantë tanë madje edhe katolikë do të deklarohen ortodoksë, pra Jani dhe Vasillaq dhe jo Gjon e Gjin. Pra nga këto raporte ka gjasa që të vendosen raportet e ardhshme politiko-pushtetare në Shqipëri. Thënë shkoqur imponohet një situatë politike ku grekët futen kokë e këmbë në zhvillimet shqiptare, këtu nuk bëj fjalë për shtetin modern grek, por për qarqet që kërkojnë rivendosjen e ekuilibrave të vjetër.
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDU-së
Neve jemi kundër kësaj procedure të regjistrimit, sepse është e parakohshme që në Shqipëri të nisë kjo procedurë regjistrimi. Shteti shqiptar e ka të pamundur aktualisht të shmangë influencat e shteteve fqinje, të cilat mund të deformojnë këtë proces nëpërmjet instrumenteve të ndryshme si pagesa e pensioneve për shtetas shqiptarë apo nevojës masive që kanë pasur shqiptarët për të ndërruar emrin në shkëmbim të vizave, e theksuar kjo në relacionet me Greqinë.
Tahir Muhedini, kryetar i PDI-së
Jemi totalisht kundër kësaj praktike të regjistrimit, pasi kjo bëhet me qëllime të caktuara. Kjo politikë është për t’i shërbyer Dules dhe duleve të tjera në politikën shqiptare. Unë do të përgjigjesha me postulatin e famshëm të rilindësve tanë që “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Unë jam kundër përcaktimit të besimit fetar në letërnjoftim dhe pasaportë.
Milva Ikonomi, eksperte për statistikat
Regjistrimi është një proces që Organizata e Kombeve të Bashkuara e bën çdo dhjetë vjet në të gjithë rruzullin. Dhe 2011 është koha kur duhet të zhvillohet regjistrimi. OKB i ka dërguar Shqipërisë dy grupime pyetësori që quhen “core”(të qenësishme) dhe “Non core”(jo të qenësishme). Te grupimi i dytë futen pyetjet për fenë edhe kombësinë. Në letërnjoftimin e qytetarëve ku janë të grumbulluar një sërë të dhënash nuk janë grupuar kombësia dhe besimi fetar. Dhe kjo është një gjë normale, pasi Shqipëria ende nuk është përgatitur që të kryejë suksesshëm një regjistrim për pyetje që nuk janë të qenësishme. Kjo pasi në Shqipëri nuk ekziston një regjistër fetar në institucionet religjioze për besimtarët, që janë: xhamitë, kishat, sinagogat etj. Ne kemi shumë qytetarë që origjinën e kanë në një besim fetar, por nuk janë praktikantë apo të regjistruar diku. Ndaj them që në Shqipëri kjo praktikë nuk është e qenësishme dhe nuk ka garanci për një përfundim të saktë dhe realist. Ndërkaq, unë do të mendoja që më e rëndësishme për qeverinë shqiptare do të ishte regjistrimi i të dhënave që kanë të bëjnë me të ardhurat dhe popullsinë, si dhe të dhëna të tjera, të cilat do të shërbejnë për shërbime ndaj qytetarëve, sesa të dhëna për besimin fetar dhe kombësinë që nuk do të jepnin efekt. Shqipëria nuk ka probleme për minoritetet dhe komunitetet fetare, por kryesisht ka probleme në regjistrimin e atyre të dhënave që prodhojnë shërbime për qytetarët.
Paskal Milo, kryetar i PDS-së
Dua të jem sa më shumë institucional në këtë çështje se kam qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Integrimit Europian kur kjo çështje është diskutuar në qeveritë e atëhershme dhe që ka qenë një kërkesë e BE-së për të bërë një regjistrim të tillë mbi bazën e këtyre kritereve. çështjen duhet ta sqarojmë nëse është një kërkesë që bëhet në kuadrin e plotësimit të standardeve nga ana e Shqipërisë për të pasur një hapje të procesit të negociatave për statusin e vendit kandidat, Shqipëria nuk mund t’i shmanget. Nëse është thjesht një kërkesë që vjen nga një qeveri cilado qoftë ajo, është tjetër problem. Pra duhet ndarë se nga vjen kërkesa dhe çfarë standardi është, i detyrueshëm apo fakultativ. Që në momentin që është sqaruar kjo, mund të mbahen pastaj qëndrime. Unë e di që ka përvoja të ndryshme në regjistrimin e popullsisë, të cilat vijnë edhe për nga specifika që ka çdo vend. Shqipëria për mendimin tim nuk ka pse të trembet për regjistrimin e popullsisë nisur nga fakti se ka një dokument të Këshillit të Europës, i cili përkatësinë etnike e lë në ndërgjegjen e qytetarëve. Shqiptarët për sa u përket përkatësisë etnike janë kaq të formuar dhe të ndërgjegjshëm e krenarë sa të deklarohen për përkatësinë e tyre reale. Në çështjen e besimit fetar unë nuk shoh ndonjë domosdoshmëri për ta kryer këtë komponent të regjistrimit të popullsisë, sepse edhe shumica e vendeve të tjera, nuk është se e kanë të detyrueshme për ta bërë diçka të tillë. Por Shqipëria në fund të fundit në vitin 2010 apo 2011 të ketë një regjistrim të popullsisë në të gjithë komponentët e vet, sepse është një çështje serioziteti i vetë shtetit shqiptar që e di se çfarë inventari demografik që ka brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.
Ilir Hoxholli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Komunitetit Mysliman
Mendoj se debati nuk zhvillohet për regjistrimin e popullsisë, por në mënyrën se si, duke përfshirë apo jo dhe deklarimet vullnetare të shtetasve shqiptarë mbi përkatësitë etnike. Në kuadrin fetar duhet të shikohet se sa reale janë këto deklarime, pasi për të arritur një përqindje sa më të saktë në vetëdeklarime duhen përcaktuar edhe kushtet që e bëjnë një shtetas të një etniteti të caktuar. Mendoj se ky është një hap i nxituar, pasi vendi ynë duhet në radhë të parë të ketë stabilitetin politik brenda vendit, Ballkanit në tërësi, si edhe më e rëndësishmja Shqipërisë i duhet stabiliteti ekonomik. Koha më e përshtatshme për ne shqiptarët është që pasi të kemi fituar një pjekuri demokratike të fazave që duhet të kalojë vendi si p.sh. stabilitetin ekonomik me euron, si edhe me aderimin e vendit tonë me të drejta të plota si anëtare e Bashkimit Europian, që përkon edhe me anëtarësimin e të gjithë Ballkanit në BE. Kjo është koha kur ne mund të marrim një përqindje të saktë të etniteteve në vendin tonë, si edhe të të drejtave që përfitojnë ato në bazë të përqindjeve që kanë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›