Beqja: Gati të hyjmë në Kuvend, nëse do të mblidhej për Shkodrën
Partia Socialiste shprehu gatishmërinë që 65 deputetët e saj të hynin në Parlament për të dhënë kontributin e tyre për situatën, nëse Topalli do ta kishte thirrur Parlamentin gjatë ditëve të krizës. Deklarata është bërë të enjten mbrëma në emisionin “Top Story” të drejtuar nga gazetari Sokol Balla në “Top Channel”, nga parlamentari socialist i zgjedhur në Qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja. Deputeti i selisë rozë, i pyetur në lidhje me kontributin e opozitës në lidhje me gjendjen e banorëve të përmbytur dhe masat që mund të merret, ka bërë të ditur se Partia Socialiste është e gatshme të marrë pjesë në Parlament nëse do të thirrej një seancë e jashtëzakonshme për situatën. Deklarata e Beqajt ka shkaktuar një reagim në panelin e emisionit, pasi ka qenë një qëndrim i befasishëm, por ministri i Transporteve, Sokol Olldashi”, ka theksuar se Kuvendi do të mblidhet të hënën dhe opozita mund të vijë, por sipas tij, socialistët nuk thonë të vërtetën. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, nuk e ka detajuar më pas deklaratën e tij, por ka përsëritur se kurdo që të mblidhej “seanca e jashtëzakonshme për përmbytjet”, Partia Socialiste do të jetë në sallën e Kuvendit për të dhënë kontributin e saj”. Gjatë ditës së sotme pritet që të ketë një komentim më të hollësishëm të kësaj deklarate nga politika shqiptare.
#