Makinat e braktisura, metoda e re e trafikantëve të drogës
Aksioni
Policia e Durrësit zbulon rreth 2 kg heroinë në një veturë pa zot anës rrugës
Një kontroll rutinë policor zbulon drogën në një automjet të braktisur buzë rrugës. Katër kallëpe me lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, pak kokainë dhe hashash janë gjetur nga shërbimet e Policisë së Durrësit teksa patrullonte në aksin rrugor Durrës-Shijak dhe ka ushtruar një kontroll rutinë. Sasia e drogës prej 1 kilogramësh e 869 gramë lëndë e dyshuar si heroinë, u gjet në një automjet tip “Golf” të braktisur. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën e sekuestruan gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, një sasi prej 0,35 gramësh lëndë e dyshuar si kokainë dhe 4,4 gramë masë bimore e dyshuar si kanabis sativa. Agjentët e antidrogës kanë nisur punën për të zbardhur plotësisht këtë rast të trafikut të brendshëm të drogës dhe identifikuar zotëruesit e saj, si dhe ata që do të shkonin ta merrnin mallin në mjetin e braktisur. Një sasi e konsiderueshme hashashi u gjet pak kohë më parë në një makinë të braktisur buzë rrugës në afërsi të Maminasit, gjithashtu gjatë një kontrolli rutinor të policisë. Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë se kjo mund të jetë një mënyrë e re që kanë gjetur personat e përfshirë në trafikun e narkotikëve në vend për të tërhequr mallin e paligjshëm pa rënë shumë në sy. E lënë në automjete gjoja të braktisura dhe më pas njoftojnë korrierët a blerësit për ta tërhequr në to. Në fund të nëntorit, policia gjeti 102 kilogramë kanabis sativa në një automjet “Benz” të parkuar ndanë superstradës Durrës-Tiranë. Të futura në thasë plastmasi, bimët narkotike ishin vendosur në bagazh dhe ndenjëset e pasme e të parme të makinës, pa tentuar fshehjen e saj. Ka kaluar një muaj e gjysmë, por duket se hetimet nuk kanë përparuar shumë për të zbardhur pronësinë e mallit të gjetur në mjet.
#