Gjendet 24 orë pas zhdukjes trupi i 40-vjeçarit
Tiranë- Rreth 24 orë pasi kishte humbur në ujërat e liqenit të Tujanit, polumbarët kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të Çlirim Bregasit, i cili vdiq mbrëmjen e së mërkurës, pasi kishte hyrë në këtë liqen për t’u larë bashkë me 3 shokët e tij. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se trupi i pajetë është gjetur rreth 1 km larg vendit ku ishte zhdukur. Menjëherë pas nxjerrjes së trupit nga uji, ai është dërguar në Institutin Mjeko-Ligjor, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Bregasi humbi jetën në ujërat e liqenit të Tujanit, në orët e vona të së mërkurës, kur së bashku me 3 miq të tij, pasi kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli, kishin vendosur të laheshin në këtë liqen. Në kohën kur tre miqtë e tij arritën të dilnin në breg, Bregasi nuk dukej . Menjëherë ata njoftuan policinë, e cila nisi menjëherë punën për gjetjen e trupit të pajetë të 40-vjeçarit Bregasi.