E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, filmime e video për proceset e bujshme

SHKRUAN: Leonard Bakillari 10-06-2011 10:59

Tiranë- Proceset e bujshme gjyqësore, që zhvillohen në Gjykatën për Krime të Rënda, do të regjistrohen për të dokumentuar në mënyrë të plotë të gjitha zhvillimet brenda këtyre proceseve. Duke marrë shkas nga suksesi që kjo gjykatë ka arritur me një proces tepër të rëndësishëm, i cili zhvillohet në këtë gjykatë që prej vitit 2007, është urdhëruar që kjo procedurë e mbështetur në ligj të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas burimeve zyrtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, bëhet me dije se kryetarja e kësaj gjykate, Etleva Deda, ka urdhëruar regjistrimin e të gjitha proceseve që zhvillohen në sallën më të rëndësishme të kësaj gjykate, derisa pajisjet regjistruese të vendosen edhe në sallat e tjera të gjykatës. Me një financim të USAID, fillimisht u eksperimentua në kuadër të një projekti pilot, në një prej sallave më të rëndësishme të Krimeve të Rënda, sallës nr. 1, ku pajisjet regjistruese kanë funksionuar në mënyrën e duhur. I gjithë procesi i gjatë ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit, përveç procesverbaleve të seancave gjyqësore që mbahen nga sekretaret, tashmë është edhe në audio, çka do të thotë një dokumentim i plotë të këtij procesi, i cili është drejt fundit. Duke qenë se salla nr. 1 plotëson kapacitetet për përballimin e proceseve me shumë të pandehur, ku rrjedhimisht dhe numri i të interesuarve apo familjarëve është më i madh, regjistrimi i seancave do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Paralelisht, stafi teknik i kësaj gjykate, me mbështetjen e organizmave që bashkëpunojnë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe infrastrukturës në gjykata, ka nisur nga puna për instalimin e pajisjeve regjistruese edhe në sallat e tjera të kësaj gjykate. “Kryetarja e Gjykatës, Etleva Deda urdhëroi vazhdimin e regjistrimit audio për të gjitha seancat gjyqësore që do të zhvillohen në sallën nr.1 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, deri në instalimin e pajisjeve regjistruese në të gjitha sallat e gjykimit” - tha zyrtarisht Gjykata për Krime të Rënda. Ky projekt pilot është duke u vënë në zbatim edhe në të paktën 10 gjykata të tjera të vendit, të cilat do të funksionojnë me regjistrimin e seancave gjyqësore, brenda kapaciteteve infrastrukturore që ato disponojnë. Sipas Gjykatës, vënia në zbatim e projektit për regjistrimin e seancave gjyqësore, përbën një kërkesë jo vetëm të kohës, por edhe kërkesë e organizmave ndërkombëtare që kanë investuar për të rritur transparencën e gjykimit. Regjistrimi i seancave gjyqësore, të paktën në Gjykatën për Krime të Rënda, qenë kërkesë e vazhdueshme e palëve apo familjarëve të të pandehurve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›