E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet Shqipja e Gërdecit

TIRANË - Tashmë trupi i Shqipe Alhasës, 25-vjeçares së zhdukur të Gërdecit, do të mund të ketë një varr. Familjarët e saj, i shoqi Dilaveri dhe dy fëmijët, tani e tutje do të kenë një trup për të qarë. Këmbëngulja e burrit të Shqipes, shpresa e tij e pashtershme kanë çuar më në fund në gjetjen e trupit, së bashku me forcat xheniere. Me gjetjen e Shqipe Alhasës, numri zyrtar i të vdekurve të tragjedisë arrin në 27. Prej tri javësh kërkim, pas ditës së kobshme së 15 marsit, thellë nën rrënojat e kraterit të shpërthimit është bërë e mundur gjetja e trupit. Edhe pse në gjendje të tjetërsuar, si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, i shoqi ka mundur që të njohë se trupi i gjetur i përkiste së shoqes, e cila është kërkuar intensivisht nga forcat xhenio të ushtrisë. Burime të besueshme të policisë bëjnë të ditur se, edhe pse trupi i së humburës kërkohej që nga dita e parë pas katastrofës, kohët e fundit kishin humbur shpresat për gjetjen e trupit. Por duet se i vetmi që nuk hiqte dorë për as edhe një moment ka qenë bashkëshorti i saj, Dilaveri, i cili që nga dita që nisën zyrtarisht kërkimet e deri më dje, ka qenë pjesë e pandashme e kërkimeve të trupave që ishin deklaruar të zhdukur nga familjarët. “Për 21 ditë me radhë, i shoqi i të humburës Shqipe Alhasa ka qenë pjesë e stafit të kërkimit të trupave. Që nga momenti që nisnin kërkimet, në mëngjes herët, e derisa perëndonte dielli, Dilaveri ishte në kërkim pranë zonës së rrezikshme për të gjetur trupin e gruas së tij”, thonë burimet. Ditët e fundit, pas pastrimit të zonës nga predhat, kërkimet nisën të bëhen me ekskavator, për të lehtësuar më tepër punën dhe për të pasur një rezultat sa më të shpejtë. Por edhe pasi kërkoi për afro dy javë pa pushim, ushtria para disa ditësh duket se hoqi dorë nga ideja se do të mund të gjenin trupin. Por fakti nuk u pranua nga Dilaveri, i cili deri në momentin e fundit donte një shenjë të trupit të gruas, e ndaj nuk hoqi dorë. Emri i Shqipe Alhasës u bë pjesë e shtabit të emergjencës që ditën e parë që dolën listat e të zhdukurve nga familjarët e tyre. 25-vjeçarja ishte punëtore e fabrikës së çmontimit të Gërdecit. Ajo ishte punësuar tre muaj përpara se të ndodhte shpërthimi dhe së bashku me dy kunatat e saj lanin predhat me naftë. E ndërsa ato të dyja shpëtuan mrekullisht, pasi rastisën në oborrin i fabrikës në momentin e shpërthimit, Shqipja nuk arriti kurrë të dilte e gjallë që aty. Burime të tjera tregojnë se, përderisa trupi i saj është identifikuar menjëherë nga i shoqi, nuk do t’i nënshtrohet asnjë ekspertize mjeko-ligjore. Së bashku me burrin dhe dy fëmijët, familja nga Martaneshi i Burrelit jetonte në fshatin Picar, disa metra larg komunës së Vorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›