Minierat e pushtetarëve

Urdhëri që pezulloi punimet
Edhe sektori minerar, në pronësi të kunatit të drejtorit të minierës së Bulqizës, ka rezultuar me probleme në dokumentacion, prandaj ministri Ruli urdhëroi edhe ndërprerjen e aktivitetit të firmës “Klavis Bris” sh.p.k. Mbyllja e aktivitetit të 6 subjekteve private që ushtronin aktivitetin e tyre në zonën D të minierës së kromit Bulqizë dhe rreziku i shembjes së galerive të kësaj zone, ishin dje tema më e debatuar në qytetin e minatorëve, në Bulqizë. Për shoqëritë “Cani” sh.p.k me administrator Bardhyl Canin, “Drini” sh.p.k me administrator Ilir Camin, “Egi-K” sh.p.k me administrator Eduart Ketën, “Klevis Bris” sh.p.k me administrator Ardian Hidën dhe “Geris 2000” sh.p.k me administratore Shqipe Aliajn (Qosja), ministri Ruli urdhëroi disa ditë më parë ndaljen e punës, duke argumentuar se aktiviteti i tyre rrezikon seriozisht jetën e minatorëve. Në shkresën nr. 3004, datë 21.03.2008, lidhur me problemet e garantimit të sigurisë në zonën D, Ruli i drejtohet kompanisë “Albanian Chrome”, administratorëve Elton Beqi e Petrit Duva, si dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, duke u shprehur se “nga kontrolli i kryer në subjektet private që ushtrojnë aktivitetin në zonën D të minierës së Bulqizës, janë konstatuar mangësi dhe probleme që nuk garantojnë sigurimin teknik në punë”. Si rezultat i kontrollit të kryer në vend, është vërejtur një ulje e sipërfaqes së tokës, e cila është reflektuar në çarjen e bazamenteve të krijuar gjatë rreth 50 viteve të shfrytëzimit. Në fakt, sipas specialistëve, kjo ulje e sipërfaqes mund të sjellë pasoja deri në shembjen e plotë të objekteve sipërfaqësore dhe rrezikimin e jetës së njerëzve që punojnë në zonën D. “Kërkojmë të merrni masa urgjente për ndërprerjen e aktivitetit në zonën D, largimin e njerëzve dhe të gjitha makinerive dhe pajisjeve që keni në këtë zonë, si dhe të vendosen tabela sinjalizuese në zonat që përbëjnë rrezik”, ishte urdhri që pezulloi punën në zonën D.